Deputeti i zgjedhur nga Lëvizja Vetëvendosje, Adnan Rrustemi ka mohuar se ka lidhje familjare (dajë) me të ndaluarin për 48-orë i cili bëri thirrje për pushkatim të Ramush Haradinajt.
Rrustemi i cili ka dënuar gjuhën e përdorur ndaj Haradinajt, ka thënë se të personin në fjalë nuk e njeh.
“Aludimet për lidhje familjare me të arrestuarin janë krejtësisht të pabazuara. Personin në fjalë me pa nuk do ta njihja, por si emër kam dëgjuar. Kam dëgjuar vitet e fundit e gjatë fushatave, si ish ushtar i UÇK-së që jeton mbi 25 vite në Obiliq. As nuk e kam pa e as nuk e kam ditur që ndodhet në Kuvend dhe në cilën kohë sa isha unë aty. Është e vërtetë që unë i kam dajtë nga Dobraja e Madhe, ku Llugiqët janë mbi 300 shtëpi. Si kudo, edhe aty ka lloj lloj personash. Nga persona që nuk kanë mbajtur qëndrimin e drejtë për kombin e vendin, deri te ushtarë të shumtë të UÇK-së, e heroi kombëtar nga kjo familje e nga ky fshat”, ka sqaruar ai në Facebook.
Ai poashtu ka kërkuar nga deputeti i Aleancës, Burim Ramadani të tërhiqen nga deklarimet, në të kundërtën ka paralajmëruar padi.
“Nëna ime ka vetëm dy vëllezër, babai i nënës sime ka qenë djalë i vetëm. Asnjëri nga të apostrofuarit nuk janë këta. Prandaj çfarëdo tendence për të lidhur emrin tim me këta emra, është veç një përpjekje për goditje politike, të cilat nuk e ndikojnë veprimtarinë time politike. Pres që ta tërheqin menjëherë shpifjen deputeti Burim Ramadani dhe mediat e caktuara, përndryshe për këtë rast do të ushtroj menjëherë padi”, ka thënë ai.




