Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rrustem Mustafa, ka bërë thirrje për një koalicion ndërmjet PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), duke kërkuar nga drejtuesit e dy subjekteve politike që të ulen në një tryezë dhe të diskutojnë për një marrëveshje për formimin e institucioneve.
Mustafa ka thënë se PDK-ja dhe LVV-ja, siç i ka cilësuar ai, dy forcat më të mëdha politike aktuale në vend, duhet t’i lënë mënjanë përplasjet e së kaluarës dhe të gjejnë gjuhë të përbashkët në interes të vendit.
Ai u ka bërë thirrje drejtpërdrejt kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, dhe liderit të LVV-së, Albin Kurti, që të takohen dhe të diskutojnë për një marrëveshje politike.
“Sot kemi nevojë për një koalicion po aq të madh. Tani para nesh kemi dy forcat më të mëdha politike: Lëvizjen Vetëvendosje dhe Partinë Demokratike të Kosovës. E di që mes nesh janë thënë fjalë të ashpra. E di që ka mosbesim. E di që zemrat janë djegur nga retorika e luftës politike. Por më lejoni t’ju them jotokësisht diçka: Kosova nuk është pronë e asnjë partie. Kosova është shtëpia e të gjithëve.Unë nuk po ju kërkoj të harroni të kaluarën. Unë po ju kërkoj të mos lejoni që e kaluara t’ju mbajë peng të ardhmes. Ne nuk kemi kohë për inate, nuk kemi kohë për hakmarrje dhe as për “nëse” apo “por”. Sepse jashtë kufijve, qytetarët tanë nuk i pyesin nëse janë me PDK-në apo me LVV-në; ata thjesht thonë se janë nga Kosova.Të nderuar kryetarë të PDK-së dhe të LVV-së, ju ftoj të uleni në një tryezë. Jo si kundërshtarë, jo si rivalë, por si burra shteti që kanë për detyrë t’ua lënë fëmijëve tanë një Kosovë më të mirë. Le t’i lëmë mënjanë egot. Le t’i lëmë mënjanë fjalët e ndezura të së kaluarës. Le të flasim për rrugët, për shkollat, për spitalet dhe për mirëqenien e qytetarëve tanë. Nëse e bëjmë këtë, historia do të na kujtojë — jo për fjalimet apo grindjet tona, por për punët dhe urat që ndërtuam.Kosova nuk ka më kohë për të pritur”, ka shkruar Mustafa në Facebook.
Mustafa ka marrë si shembull koalicionin PDK-LDK, duke argumentuar se marrëveshjet ndërmjet forcave të mëdha politike mund të sjellin rezultate të rëndësishme për Kosovën.
Sipas tij, koalicionet e mëdha nuk duhet të shihen si luks politik, por si një domosdoshmëri shtetërore.
“Kur u formua koalicioni PDK-LDK, shumë thoshin se nuk do të zgjaste. Se inatet ishin të mëdha. Se diferencat ishin të pakapërcyeshme. Por ne atëherë vendosëm të mos dëgjojmë zërat e dyshimit. Vendosëm të dëgjojmë zërin e atdheut. Dhe çfarë ndodhi? E shpallëm Pavarësinë e Kosovës. Ato duar që kishin mbajtur pushkën, ato duar që kishin shkruar peticione e kishin fshirë lotët për të rënët, nënshkruan aktin më të shenjtë të historisë sonë shtetërore. Ndërtuam autostradat që sot lidhin Kosovën me bregun e Adriatikut, i dhanë frymë ekonomisë sonë dhe afruan njerëzit. Bëmë shkolla, spitale e ura. Gjurmë që nuk fshihen, gjurmë që sot fëmijët tanë i shohin dhe thonë: “Këtë e bënë prindërit tanë.” Ato ishin ditë krenarie që i kam jetuar me shpirt. Prandaj e di: koalicionet e mëdha nuk janë luks, janë domosdoshmëri shtetërore”, ka shtuar ai.
Deputeti i PDK-së ka thënë se është i gatshëm të kontribuojë me përvojën e tij për një bashkim të tillë politik.
“Unë jam gati të jap të gjithë përvojën time për këtë bashkim. A jeni gati edhe ju?”, ka përfunduar Mustafa.
Ndryshe, konstituimi i legjislaturës së 11-të ka mbetur i papërfunduar, pavarësisht se ka skaduar afati kushtetues për përfundimin e këtij procesi. Ende nuk janë zgjedhur kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit./teve1.info/







