Kryeministri në detyrë i Kosovës, dhe lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti u ka bërë thirrje përsëri partive politike parlamentare për të arritur një marrëveshje politike për konstituimin e institucioneve të Kosovës.
Kurti tha se është në komunikim me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Zgjidhja siç tha ai për të mos shkuar në zgjedhje është marrëveshja politike.
“Jemi në komunikim dhe do të përpiqemi për çdo ditë që të arrijmë marrëveshje politike, në mënyrë që të shmangim zgjedhjet e panevojshme e të paarsyeshme, sepse ato vetëm sa do të përsëriten. U bëj thirrje edhe njëherë liderëve të partive të tjera që të diskutojmë e merremi vesh, sepse qytetarët nuk duan zgjedhje, por zgjidhje, e zgjidhja është marrëveshja politike”, tha Kurti.
Kjo pasi kreu i VV-së, Albin Kurti kërkoi kohë shtesë për propozimin e kanidatit për kryetar të Kuvendit. Ai tha se kjo kërkesë vjen pasi që s’ka ende marrëveshje politike.
“Takimet dhe komunikimi im, si kryeministër në detyrë dhe kryetar i subjektit fitues Lëvizja Vetëvendosje, me kryetarët e partive të tjera parlamentare, kanë vazhduar. Marrëveshje politike nuk kemi ende, prandaj që t’i evitojmë zgjedhjet e reja, lus për kohë shtesë”, ka thënë Kurti të shtunën.
Pas kësaj kërkese, deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj ka gjuajtur me vezë kryetarin e VV-së, Albin Kurtin. Pas eskalimit të situatës, kryesuesi Dehari kërkoi sigurimi kuvendit të futet në sallë.
Në zgjedhjet e 7 qershorit, LVV-ja mori 53 deputetë, PDK-ja 22, LDK-ja 18 e Aleanca 7.







