Afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Kosovës mbaroi në mesnatën e 7 gushtit.
Por, edhe pas 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve, Kuvendi mbeti i pakonstituuar.
Përplasjet politike për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit e lanë procesin pezull.
Përveç ngërçit politik, në pikëpyetje është edhe mënyra se si do të vazhdojë procesi pas tejkalimit të afatit kushtetues.
“Tashmë vendi dhe sidomos Kuvendi i Kosovës janë në një situatë krejt absurde dhe rrjedhimisht të pa pranueshme kur përveç që është tejkaluar afati kushtetues për konstituimin kushtetues te kuvendit për shkak të refuzimit të partisë që ka dalë e para, për me keq jemi në një situatë edhe me problematike ku as tejkalimi i afatit si i tillë duket që nuk u ka mjaftuar subjekteve politike në këtë rast Lëvizjes Vetëvendosje që të arrijnë në pikën ku Kuvendi do të konstituohej”, ka thënë Eugen Cakolli nga KDI.
Cakolli thotë situata ka kaluar tashmë përtej një ngërçi të zakonshëm politik dhe që këtej lipsen interpretime kushtetuese në lidhje me mos respektimin e afatit 30-ditor rrjedhimisht përcaktimin se çfarë mund të ndodhë pas.
“Ne kemi bërë thirrje dje që të paktën 10 deputetë të Kuvendit të Kosovës të parashtrojnë në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për interpretim të situatës së tanishme dhe atë mbi tri çështje kryesore e para që të konstatohet shkelja kushtetuese ne raport me afatin detyrues 30 ditor për konstituimin e kuvendit, të përcaktohet se a mund të mbahet seanca të tjera në ketë drejtim”, tha ai.
Ndërsa politologu Avdi Smajljaj përgjegjësinë e sheh te partitë politike.
“Zhvillimet aktuale në kuvend janë manifestim do të thoja i një pa përgjegjësie politike partitë politike kanë pasë kohë të mjaftueshme që nga certifikimi i zgjedhjeve por edhe para certifikimit askush nuk i ka penguar që të bisedojnë mes vete dhe të përpiqen të gjejnë një zgjedhje për koalicion ose ndonjë marrëveshje për të dalë nga ky ngërç institucional që tani më po bëhen 1 vit e gjysmë gati dy vite”, shprehet ai.
Sipas tij, kërkesa për kohë shtesë tashmë e sfidon edhe kornizën kushtetuese.
“Tani kemi ardh në një kohë që po kërkohet kohë shtesë që është e pa justifikueshme sa që kemi hyrë në një teren ku po sfidohet edhe e drejta kushtetuese një gjë për të cilën nuk kishim nevojë asgjë nuk e justifikon mungesën e përpjekjes së partive politike për të gjet një zgjidhje deri kur është afati për mbajtjen e seancës”, thotë Smajljaj.
Tentimi për të dytën herë për konstituimin e Kuvendit ndodhi dy muaj pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të tetë qershorit, ndërkaq seanca e së shtunës, u mbajt 1 ditë pas kalimit të afatit prej 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve zgjedhore.






