UEFA ka paguar të dashurën e dyshuar të Gianni Infantinos, në kohën kur ai ishte sekretar i përgjithshëm i saj, shkruan “The Telegraph”.
Gruaja mori shumë gjashtëshifrore pas marëdhënies së dyshuar me Infantinon, kur ai ishte zyrtar i lartë në konfederatën evropiane të futbollit. Sipas “The Telegraph”, gruaja dyshohet se ishte ngritur në detyrë nga Infantino gjatë lidhjes së tyre.
Pasi ajo u largua, UEFA e pagoi po ashtu që ajo të kryej një Master në një shkollë biznesi.
Kjo akuzë ka bërë bujë, ndërsa ka rritur tutje presionin në presidentin aktual të FIFA-s, Gianni Infantino.
Në një deklaratët të lëshuar të premten mbrëma, UEFA pranoi se ishte bërë një pagesë dhe se ishte e njoftuar për akuzat se gruaja ishte në lidhje me Infantinon. UEFA tha se prej atëherë kishte “forcuar” rregulloret e saj.
Pranimi i UEFA-s erdhi pas një hetimi nga “The Telegraph” që zbuloi shqetësime të mëdha midis drejtuesve të rëndësishëm të UEFA-s mbi sjelljen e Infantinos. Ai nisi punën në UEFA në vitin 2000 dhe kaloi 16 vjet në këtë organizatë. Në shkurt të vitit 2016 mori drejtimin e FIFA-s.
Presidenti i FIFA-s është i martuar dhe ka katër fëmijë. Por dyshohet se ka pasur lidhje me një punonjëse të re, ndërsa shërbente si sekretar i përgjithshëm i UEFA-s. Mediumi i njohur ka shkruar se Infantino u kujdes që gruaja të largohej nga UEFA me një shpërblim prej të paktën gjashtë shifrash.
Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) ka mohuar akuzat. Sipas FIFA-s, nuk ka pasur kurrë ankesa nga punonjësit në lidhje me sjelljen e Infantinos.
“Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, i mohon fuqimisht këto akuza dhe ato janë plotësisht të pavërteta. Çdo aludim për sjellje të papërshtatshme ose shkelje të statuteve ose rregulloreve është shpifje”, ka thënë një zëdhënës i FIFA-s.
“Asnjë punonjës në UEFA dhe FIFA nuk ka bërë ndonjëherë ankesë në lidhje me sjelljen e Infantinos, sepse nuk ka pasur kurrë incident ku ai ishte i përfshirë. Të gjitha veprimet në lidhje me punonjësit, duke përfshirë çdo paketë largimi dhe pushimi nga puna, janë miratur gjithmonë nga drejtorët përkatës në përputhje me të gjitha rregulloret në fuqi”.
Përdorimi i dyshuar i fondeve të UEFA-s ndodhi kur Infantino ishte sekretar i përgjithshëm i saj. Gruaja u ngrit në pozitë drejtuese ndërsa lidhja ishte në vazhdim. Infantino u sfidua për aferën e dyshuar nga Michel Platini, president i atëhershëm i UEFA-s, thanë burimet e mediumit britanik. Gruaja më pas u largua, por me një shpërblim.
UEFA gjithashtu pagoi që gruaja të ndiqte një kurs Masteri në një shkollë biznesi, si pjesë e marrëveshjes. UEFA pagoi rreth 52 mijë euro në vit për shkollimin e saj. Ajo fillimisht ishte në pozitë administrative, por u promovua në rol menaxherial dhe më fitimprurës.
Kur ajo u largua, Infantino dyshohet se përdori lidhjet e tij për të siguruar një post të ri fitimprurës për gruan, në një fushë të ngjashme.
“Ai gjithashtu siguroi pagesën e saj, duke devijuar fondet e UEFA-s që mund të ishin shpenzuar për futbollin e të rinjve”, shkruan “The Telegraph”.
UEFA indirekt ka konfirmuar akuzën e rëndë.
“Jemi në dijeni të akuzave dhe mund të konfirmojmë se një pagesë largimi iu bë individit në fjalë, së bashku me pagesën e tarifave për një kurs Masteri në një shkollë lokale biznesi. Pagesa ishte në përputhje me rregulloret që ekzistonin për stafin që largohej në atë kohë. Rregulloret janë shtrënguar që nga viti 2016”, ka thënë UEFA.










