Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT) ka njoftuar se Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka zhvilluar një inspektim në një kompani për prodhimin dhe përpunimin e produkteve të qumështit, pas dyshimeve për përdorimin e ujit të ujitjes në procesin e prodhimit.
Sipas MINT-it, inspektimi është kryer në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) dhe Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Drini i Bardhë” në Pejë.
Gjatë kontrollit janë marrë mostra të ujit që përdoret në procesin e prodhimit, të cilat do t’i nënshtrohen analizave fiziko-kimike, mikrobiologjike dhe testeve për praninë e metaleve.
“Pas përfundimit të analizave dhe pranimit të rezultateve zyrtare, institucionet kompetente do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, ka deklaruar se qumështorja “Vita”, përkatësisht kompania “Abrazeni”, dyshohet se ka përdorur ujë nga sistemi i ujitjes në procesin e saj, gjë që, sipas tij, është në kundërshtim me rregullat e higjienës, pasi në prodhimin e ushqimit duhet të përdoret vetëm ujë i pijshëm.
Muja ka bërë të ditur se informacioni është siguruar përmes një komunikimi nga Ministria e Ekonomisë.
Ai ka ngritur dyshime edhe ndaj Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Drini i Bardhë”, duke paralajmëruar kallëzim penal ndaj saj.
“Kemi pranuar një komunikim nga Ministria e Ekonomisë dhe, me keqardhje, mund të them se qumështorja ‘Abrazeni’ (Vita) ka përdorur ujin e sistemit të ujitjes. Sipas rregullores për higjienën, në procesin e prodhimit duhet të përdoret vetëm ujë i trajtuar, përkatësisht ujë i pijshëm. Ne dyshojmë se kompania ‘Drini i Bardhë’ ka keqpërdorur dhe ka shkelur marrëveshjen e mirëkuptimit me Ministrinë e Bujqësisë, duke rikanalizuar ujin e financuar për fermerët e Istogut për ta furnizuar në mënyrë të kundërligjshme kompaninë ‘Abrazeni’”, ka deklaruar Muja.
Sipas tij, pas kërkesës për sqarime, kompania “Drini i Bardhë” ka pranuar se ka furnizuar kompaninë me ujë, por ka pohuar se kjo është bërë vetëm për larjen e cisternave të qumështit.
Ministri në detyrë ka bërë të ditur se për këtë rast Ministria do të parashtrojë kallëzim penal./teve1.info/






