Gërmimet u bënë edhe këtë të martë.
Në Kalludër e Jabukë të Zubin Potokut, ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore vazhduan punën.
E gjatë ditës, hetimet nisën edhe në një lokacion të tretë, po në këtë komunë.
Prokuroria Speciale njoftoi për dyshimet se ka mbetje mortore të luftës së fundit në Kosovë.
“Aktualisht, hetimet po vazhdojnë në një lokacion të tretë. Për shkak të fazës së ndjeshme të hetimit, Prokuroria Speciale nuk mund të japë informacione të mëtejshme në këtë moment. Informacione shtesë do të publikohen kur kjo të jetë e mundur pa cenuar hetimin”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
Po këtë të martë, kryenegociatori i Kosovës për dialogun me Serbinë, Agron Bajrami i shkroi një letër të dërguarit të BE-së për dialogun, Peter Sorensen.
Në të, Bajrami thotë se kërkoi që Serbia ta zbatojë Deklaratën për Personat e Zhdukur.
“Kam kërkuar nga Bashkimi Evropian të sigurojë që Serbia t’i zbatojë plotësisht zotimet e saj në kuadër të Deklaratës për Personat e Zhdukur, përfshirë qasje të pakufizuar në arkiva dhe mbrojtje për të gjithë ata që ofrojnë informacione. Familjet kanë pritur shumë gjatë për të vërtetën”, ka shkruar Bajrami.
Në Jabukë të Zubin Potokut, të hënën janë gjetur katër mbetje mortore.
Ndërsa nga java e kaluar e gjer më tani, nën dyshimin për krime lufte në Kosovë, autoritetet kosovare kanë arrestuar tre persona.



