Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka deklaruar se kjo parti do të mbetet në opozitë, pas takimit të partive parlamentare me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.
Çitaku tha se PDK-ja është e interesuar që institucionet e Kosovës të konstituohen sa më shpejt, në mënyrë që kërkesat e qytetarëve të adresohen përmes institucioneve të reja.
“PDK ka një pozicion të qartë politik, ne do të jemi në opozitë. Mirëpo, jemi të interesuar që sa më parë institucionet e Kosovës të konstituohen, në mënyrë që të adresohen kërkesat e qytetarëve të Kosovës”, deklaroi Çitaku.
Ajo tha se PDK-ja nuk sheh shumë hapësirë për bashkëpunim politik me Lëvizjen Vetëvendosje, por theksoi se do të bashkëpunojë për çështjet që lidhen me funksionalizimin e institucioneve.
“Jemi vite larg me LVV-në dhe shohim pak hapësirë për bashkëpunim, mirëpo kjo nuk do të thotë që nuk bashkëpunojmë kur janë në pyetje konstituimi i institucioneve dhe interesat e qytetarëve të Kosovës. Por jo në qeverisje”, tha ajo.
Çitaku shtoi se ende nuk është e qartë përfundimisht përbërja e ardhshme politike, por përsëriti se qëndrimi i PDK-së është që të jetë në opozitë.







