Autoriteti Italian për Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka gjobitur kompaninë Meta me 805 milionë euro (900 milionë dollarë) për qasjen në fotografi, video dhe metadata përkatëse të ruajtura në pajisjet Android të përdoruesve italianë, pa marrë pëlqimin e tyre të qartë dhe të informuar.
Autoriteti Italian për Mbrojtjen e të Dhënave Personale tha se shkelja lidhej me funksionin e Facebook-ut “Get suggestions from gallery when browsing Facebook” (Merr sugjerime nga galeria gjatë shfletimit në Facebook), i prezantuar në vitin 2023, i cili sugjeron fotografi dhe video të ruajtura në telefonat inteligjentë të përdoruesve për t’i shpërndarë në platformë.
Hetimi zbuloi se Facebook kërkonte një leje të vetme që mbulonte disa funksione, e paraprirë nga një njoftim i përgjithshëm që nuk i informonte qartë përdoruesit se aplikacioni mund të kishte qasje edhe në galeritë e tyre të fotografive.
Autoriteti konstatoi gjithashtu se ky funksion ishte aktivizuar si parazgjedhje, duke i mundësuar potencialisht aplikacionit qasjen në të gjithë arkivin e fotografive të përdoruesve, pasi ata të jepnin lejen përkatëse.
Hetimi nisi në korrik të vitit 2025, pas një ankese të paraqitur nga Qendra për Mbrojtjen e Konsumatorëve në Bolzano, dhe përfshiu edhe një analizë teknike të aplikacionit.
Rregullatori tha se kjo praktikë shkelte nenin 122 të Kodit Italian të Privatësisë, i cili zbaton Direktivën e Bashkimit Evropian për Privatësinë dhe Komunikimet Elektronike (ePrivacy) dhe mbron informacionet e ruajtura në pajisjet e përdoruesve, shkruan Anadolu.
Ai theksoi se qasja në informacionet e ruajtura në telefonat inteligjentë kërkon pëlqim të lirë dhe të informuar, pavarësisht nëse të dhënat personale transmetohen më pas apo nëse dëshmohet ndonjë dëm.
Autoriteti hodhi poshtë gjithashtu kundërshtimin e Metës lidhur me juridiksionin, duke argumentuar se legjislacioni për privatësinë elektronike nuk parashikon zbatimin e mekanizmit të BE-së të njohur si “one-stop-shop” (një pikë e vetme kontakti).
Sipas vendimit, Meta duhet të vendosë një kërkesë të veçantë për marrjen e pëlqimit, të shpjegojë qartë qëllimin e këtij funksioni dhe ta mbajë atë të çaktivizuar si parazgjedhje brenda 60 ditëve, përfshirë edhe për përdoruesit që kishin dhënë më parë lejen.
Kompania duhet t’i raportojë autoritetit masat fillestare brenda 30 ditëve dhe të paraqesë detaje mbi masat e zbatuara brenda 90 ditëve.
Autoriteti tha se rreth 20 milionë përdorues të Android-it në Itali mund të jenë prekur nga kjo praktikë, duke marrë parasysh përmasat dhe kohëzgjatjen e shkeljes, një masë të mëparshme të ndërmarrë ndaj Metës në vitin 2019, si dhe mungesën e bashkëpunimit nga ana e kompanisë.
Procedura hetimore nuk shqyrtoi përdorimin e përmbajtjes së galerive për trajnimin e inteligjencës artificiale (AI). Autoriteti la të hapur mundësinë e nisjes së një hetimi të veçantë lidhur me një funksion të përpunimit të galerive përmes cloud-it, të prezantuar në vitin 2026.









