Një rast përfundon në polici, Inspektorati ndal punimet në Podujevë e Shtime
Inspektorati Qendror i Punës, në kuadër të mbikëqyrjes së zbatimit të legjislacionit të punës dhe të sigurisë e shëndetit në punë, pas raportimit të rasteve, ka kryer inspektime në dy kantiere ndërtimi në komunën e Podujevës dhe Shtimes.
Gjatë inspektimeve janë konstatuar shkelje të rënda të dispozitave ligjore, të cilat paraqisnin rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e punëtorëve.
Për shkak të mungesës së masave të nevojshme të sigurisë, Inspektorati ka ndaluar menjëherë punimet në dy kantiere ndërtimi, në Podujevë dhe Shtime, deri në eliminimin e plotë të parregullsive të evidentuara.
Në rastin në Komunën e Ferizajt, është hapur rast në Policinë e Kosovës, për dëmtimin e shiritit ndalues, pasi punëdhënësi, edhe përkundër vendimit në fuqi për ndalimin e punimeve, ka vazhduar punën në kundërshtim me urdhrin e inspektorit.
“Masat e ndërmarra synojnë parandalimin e aksidenteve në vendin e punës dhe garantimin e kushteve të sigurta për punëtorët. Subjektet e inspektuara janë obliguar të eliminojnë të gjitha parregullsitë, ndërsa punimet do të lejohen të rifillojnë vetëm pasi inspektorët të konstatojnë se janë përmbushur kërkesat ligjore dhe standardet e sigurisë dhe shëndetit në punë. Inspektorati Qendror i Punës mbetet i përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe do të vazhdojë kontrollet në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, duke ndërmarrë masa ndaj çdo subjekti që cenon sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit.
Njëkohësisht, Inspektorati Qendror i Punës u bën thirrje të gjithë punëdhënësve që të respektojnë me rigorozitet dispozitat ligjore dhe të sigurojnë kushte të sigurta pune, pasi mbrojtja e jetës dhe shëndetit të punëtorëve mbetet prioritet i panegociueshëm.







