Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara (CENTCOM) tha se goditi dhjetëra objektiva të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) në Iran gjatë natës së së mërkurës.
Agjencia e lajmeve Fars raportoi të enjten se tre persona janë vrarë në sulmin amerikan në ndërtesën e banimit në Qeshm.
Duke cituar Universitetin e Shkencave Mjekësore Hormozgan, Fars tha se viktimat ishin një çift dhe fëmija i tyre dyvjeçar. Dy fëmijë të tjerë, të moshës shtatë dhe nëntë vjeç, u plagosën dhe mbeten në spital. Një fëmijë i tretë u nxor nga rrënojat.
Ndërtesa e goditur nga forcat amerikane thuhet se ishte shtëpia e një familjeje me pesë anëtarë. Dy persona të tjerë besohet se janë bllokuar nën rrënoja.
Garda Revolucionare e Iranit tha të enjten se do të kundërpërgjigjet ndaj “agresorit”, me Kuvajtin dhe Jordaninë që u vunë në shënjestër të sulmeve të dyshuara iraniane të enjten në mëngjes.
CENTCOM tha se sulmoi qendrat e komandës ushtarake, objektet e raketave dhe dronëve, vendet e mbikëqyrjes bregdetare dhe mbrojtjes, si dhe kapacitetet detare në Iran, shkruan Al Jazeera.
Megjithatë, nuk zbuloi specifikat ose vendndodhjet e sakta të këtyre objektivave brenda vendit.
Kjo erdhi pasi Presidenti i SHBA-së Donald Trump tha në Shtëpinë e Bardhë se Irani do të “goditet shumë rëndë” pasi Garda Revolucionare e Iranit (IRGC) nisi një sulm me raketa balistike në një bazë amerikane në Jordani të mërkurën.
Kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulme ushtarake ndaj Iranit në shkurt, Presidenti Donald Trump tha se lufta do të zgjaste vetëm disa javë, por ajo ka vazhduar për pesë muaj pa asnjë fund në horizont.




