Për përfundimin e punimeve në këtë kullë në fshatin Samadraxhë të Suharekës u deshën disa vite kohë.
Por së fundmi pikërisht ky monument kulturor u bë arsyeje që të ngritet aktakuzë ndaj ish drejtorit të kulturës në këtë komunë, Beqir Berisha.
Prokuroria Themelore e Prizrenit të hënën njoftoi se kjo ndodhi për shkak të dyshimit se Berisha ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”
Por jo vetëm këtij, kjo prokuroria ka ngritur aktakuzë edhe ndaj A.M për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi apo mashtrimi në prokurim publik”
Në kontratën në vlerë mbi 28 mijë euro, sipas Prokurorisë Berisha kishte nënshkruar një pagesë në vlerë prej 5 mijë eurove, duke konstatuar se punimet u realizuan sipas kontratës, ani pse ato nuk u kryen.
Kjo gjë sipas aktakuzës i ka shkaktuar dëme prej 5 mijë e euro Komunës së Suharekës.
Përkundër aktakuzës, kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, thotë se ka besim tek drejtorët e tij.
“Unë e kam një besim të madh të vartësit e mijë, unë i respektoj institucionet e Republikës së Kosovës. Prokurorinë e hetuesinë. Ne jemi në shërbim 24 orë të qytetarëve tonë, nuk ka qenë një pllakë përkujtimore është një kullë e martirëve të Tivarit, mirëpo duhet ta presim verdiktin e fundit të gjykatës. Kjo ka ndodhë nëse nuk gabojë ndërmjet vitit 2018- 2020, kjo nuk ka kurgjo të keqe, organet munden me hetu rastin edhe mas pesë viteve këtu nuk ka asgjë të keqe”, ka thënë Muharremaj.
Megjithatë, që punimet nuk kishin shkuar ashtu siç ishte planifikuar e thotë edhe aktivisti Qazim Voci, i cili përkujdeset për kullën e fshatit.
“Ka fillu do më thënë para 6 viteve por është punu shumë kadale , është punu me ndërprerje projektin e ka bërë një inxhiniere e komunës nuk e di as sa ka kushtu por e di që është ndërprerë disa herë dhe është bërë devalvim i punës. Çmimet janë rritur dhe shumë problem kam pas më përfundu se kishte kërkesa për çmimet që janë ngritë”, u shpreh Voci.
Mirëpo, Voci beson në pafajësinë e ish drejtorit të kulturës, Beqir Berishës.
“Unë tash po dëgjoj për aktakuzën, unë e di si një njeri shumë të ndershëm një njeri që ka qenë puntor dhe e di që ka asestu që të kryhen puntë, qysh tek ka përfundu unë nuk e di. Unë nuk besoj në keqpërdorim se njoh si burrë të mirë”, u shpreh tutje Voci.
Tëvë1 ka provuar që të kontaktoj edhe me Beqir Berishën, mirëpo ai ka qenë i paqasshëm gjatë ditës.






