Ish-kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Viktor Buzhala, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit dhe diskutimeve për gjetjen e një zgjidhjeje lidhur me zgjedhjen e presidentit.
Zhvillimet politike kanë ardhur në një kohë kur partitë kanë zhvilluar takime e konsultime për tejkalimin e ngërçit institucional dhe gjetjen e një konsensusi për hapat e mëtejmë.
Në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, Buzhala tha se opozita synon ta pengojë qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ta çojë vendin në zgjedhje të reja.
“Neve, LVV do t’i siguronim 79 vota dhe opozita do t’i kishte 41 vota. Pra, kjo opozitë s’do ta bllokonte Albin Kurtin dhe LVV-në. Qëllimi i opozitës është ta çojë vendin në zgjedhje dhe të mos e lërë Albin Kurtin të qeverisë. Kjo nuk ka të bëjë me presidentin apo me emra të përveçëm. Opozita nuk është duke e lexuar si duhet verdiktin e popullit”, ka deklaruar Buzhala.
Sipas tij, opozita nuk po e respekton rezultatin e zgjedhjeve dhe po synon ta pengojë formimin e institucioneve.
“Ata duan ta çojnë vendin në zgjedhje sepse duan ta pengojnë dhe të mos e lënë Albin Kurtin të qeverisë. Në këtë rast, ai është i legjitimuar. Duhet të lexohet verdikti i popullit. Populli i ka dhënë 50 për qind mbështetje Albin Kurtit, ndërsa ata nuk po e njohin këtë verdikt dhe nuk po e kuptojnë se qytetarët kanë shprehur vullnetin që ai të qeverisë”, ka shtuar ai.







