Ministrja në detyrë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli ka njoftuar se janë ndërprerë kontratat e punës për 20 zyrtarë të ministrisë nga komuniteti serb, të cilët, sipas saj, njihen edhe si pjesë e ish-“Mbrojtjes Civile”.
Sipas Pacollit, vendimi është marrë për shkak të mungesës së vazhdueshme të tyre në vendin e punës dhe në përputhje me rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit.
Ajo bëri të ditur se bazuar në evidencat zyrtare, këta zyrtarë, të punësuar në ish-Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor që nga 5 janari 2016, nuk kanë përmbushur detyrimet që rrjedhin nga marrëdhënia e punës, përfshirë mosparaqitjen e vazhdueshme në vendin e punës dhe moskryerjen e detyrave zyrtare.
“Do të vendosim ligjshmëri të plotë dhe standarde të njëjta për secilin në administratën publike. Askush nuk mund të mbajë statusin e të punësuarit pa përmbushur detyrimet që i takojnë. Do të jemi të pakompromis në zbatimin e ligjit, pa dallim përkatësie apo pozite, sepse shërbimi publik duhet t’u shërbejë qytetarëve me përgjegjësi dhe respektim të plotë të detyrës zyrtare”, ka deklaruar Pacolli.
Ajo theksoi se institucionet do të vazhdojnë zbatimin e ligjit dhe të standardeve të njëjta për të gjithë punonjësit e administratës publike./teve1.info/







