Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorin jorezident të Irlandës, Ragnar Almqvist, vetëm dy javë pasi Irlanda mori Presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian.
Gjatë takimit, Kurti e cilësoi Irlandën si një shtet mik dhe partner të rëndësishëm të Kosovës, duke shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të saj, veçanërisht për kontributin në kuadër të misioneve të KFOR-it dhe EULEX-it.
Sipas njoftimit, kryeministri në detyrë theksoi se Kosova është demokracia më e avancuar në rajon dhe vendi me mesataren më të lartë të rritjes ekonomike, ndërsa rikujtoi se mbështetja e qytetarëve për integrimin evropian mbetet e lartë.
Kurti nënvizoi se Kosova është plotësisht e harmonizuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian, duke vlerësuar se dhënia e statusit të vendit kandidat dhe hapja e negociatave për anëtarësim do të përbënin një njohje të meritave për reformat dhe progresin e arritur nga vendi.
Në takim u diskutua edhe për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Irlandës, si dhe për avancimin e agjendës evropiane të Kosovës./teve1.info/







