Skënder Krasniqi akuzohet për vrasje të rëndë të komshiut të tij, në verën e vitit 2024 në fshatin Zllakuqan të Lipjanit.
Procesi gjyqësor ndaj tij, tashmë ka ardhur pothuajse në fund.
Para trupit gjykues, Krasniqi dha sot fjalën përfundimtare.
Ai i kërkoi falje familjes së viktimës, duke thënë se vrasja ishte veprim i momentit dhe ndodhi pa dashje.
“Kërkoj falje nga ju sepse e kam besimin te Gjykata që vetëm drejtë të marr vendim dhe u kërkoj falje të gjithë familjarëve se nuk ka qenë, ajo ka qenë e momentit… sepse kemi qenë kojshi të mirë, kemi pasë raporte të mira dhe deri në atë moment s’kemi pasë diçka”, deklaroi i akuzuari, Skënder Krasniqi.
Avokati i Krasniqit, Ilir Ramaj, tha se gjykata duhet të vlerësoj të gjitha rrethanat e rastit dhe faktin që i mbrojturi i tij nuk ka qenë iniciues i konfliktit.
“Familjarët e të ndjerit së bashku me tani të ndjerin kanë shkuar në shtëpinë e Skender Krasniqit, ku situata ka eskaluar me kërcënim dhe ushtrim të dhunës fizike ndaj tij duke e përballur me një sulm real të drejtpërdrejt. Veprimi i tij nuk ka qenë rezultat i hakmarrjes, ose qëllim për të vrarë por reagim i menjëhershëm në një situatë ku ai e konsideron rrezik për jetën e tij”, theksoi Ramaj.
Mirëpo me këtë pretendim, nuk po pajtohet mbrojtja e familjes së viktimës, duke kërkuar burgim të përjetshëm për të akuzuarin, teksa foli avokati I familjes, Mahmut Halimi.
“Pretendimi për mbrojtje të nevojshme bie në tri pika themelore. Së pari i akuzuari vet e pranoi se të ndjerin Florim Zani dhe dëshmitari Ilir Zani nuk ka parë asnjë mjet në dorë, armë apo send tjetër. Pra nuk ka provë se viktima ka qenë i armatosur apo ka paraqitur rrezik vdekjeprurës për të akuzuarin. Së dyti edhe sikur ta pranon se ka pasë tension verbal apo shtyrje fizike, përdorimi i thikës në regjionin e qafës dhe të shpinës, në pjesë jetike të trupit, nuk është veprim proporcional i zbrapjes”, tha Halimi.
E prokurori, Menduhi Kastrati, theksoi se në administrimin e provave material e personale, është vërtetuar se Skënder Krasniqi është autor i kësaj vrasje.
“Nga këto dëshmi është vërtetuar se të njëjtit kanë qenë në vendin e ngjarjes, dëshmitari Ilir Zani ka parë momentin kur i akuzuari përmes përdorimit të thikës e ka goditur të ndjerin Florim Zani, të cilit i ka shkaktuar lëndime vdekjeprurëse”, pohoi Kastrati.
Sipas aktakuzës, ngjarja ndodhi për shkak të mosmarrëveshjes paraprake që kishte ndodhur të njëjtën ditë mes djalit të Skënder Krasniqit, i mitur T.K., me të miturin A.Z, nipi i viktimës, në rrjetin social tiktok.
Aty thuhet se djali i tash të akuzuarit, e kishte therrur me thikë nipin e viktimës.
Kjo bëri që viktima Florim Zani të shkoj në shtëpinë e Krasniqit për sqarim.
Pas një debati me tone të larta, Krasniqi e privoi nga jeta Zanin, duke e goditur dy herë radhazi me thikë, të cilën deri në atë moment po e mbante në dorë djali i të akuzuarit.






