Autor: Arlind Beqiraj
Për rreth çdo një euro eksport, Kosova importon afërsisht 7 euro të tjera.
Ky është bilanci i deficitit tregtar gjatë vitit 2025, bazuar në të dhënat e publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës
Vlera totale e deficitit tregtar, është afërsisht 6.1 miliardë euro.
Gjatë vitit të kaluar, Kosova ka importuar mallra në vlerë prej 7 miliardë e 48.3 milionë euro, kurse ka eksportuar vetëm 942 milionë e 100 mijë euro.
Deficit tregtar, për kryetarin e shoqatës së prodhuesve, Kushtrim Ajvazi, është shqetësues.
“Janë numra shqetësues normalisht sepse mjetet tona po dalin jashtë vendit edhe kerkesa jonë u kanë që na me mujtë me kriju politika më të favorshme prodhuese edhe parja e qytetarëve tonë të qarkullojë brenda vendit”, thotë Kushtrim Ajvazi, kryetar i Shoqatës së Prodhuesve.
Ai thekson se synim duhet të jetë ulja e vlerës së deficitit.
“Tendenca jon është me mujtë me u rritë hala ma shumë, matematika është shumë e thjeshtë na jemi shoqëri konsumese 83 % buxheitt të qarkullimit e kemi konsum, konsumi është orientu në import kështu që na me mujtë me prodhu sa më shumë produkte zevëndësuese të imporitt edhe me rritë eksportin”, shprehet Ajvazi.
Që nga përfundimi i luftës, profesori i ekonomisë, Fidan Qerimi, thotë se Kosova do të duhej ta gjente një zgjidhje për këtë çështje.
“Që nga paslufta jemi një çerek shekulli dhe nuk po arrijmë të orientojmë ekonominë tonë që të plotësojmë të paktën kërkesat e tregut tonë e të synojmë të eksportojmë; kjo është një hendek jashtëzakonisht i madh në ekonomi”, thotë Fidan Qerimi, ekonomist.
Partneri kryesor i importit për Kosovën ishte Gjermania, ku u importuan mallra me vlerë 1 miliard euro, pasuar nga Turqia me 926 milionë euro.
Shteti i tretë prej të cilit Kosova importon mallra renditet Kina, me 920 milionë euro.
Ndërkaq, Kosova ka eksportuar më së shumti drejt Shqipërisë, me mbi 38 milionë euro, e pasuar nga Maqedonia e Veriut me rreth 29 milionë e 300 mijë, ndërsa në vendin e tretë renditet Turqia me afër 9 milionë e 800 mijë euro.






