Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës është mbledhur pasditen e së enjtes, ku pritet të shqyrtohen rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, si dhe zhvillimet e mëtejshme politike.
Para nisjes së mbledhjes, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, deklaroi se fokusi i partisë mbetet analiza e rezultatit zgjedhor dhe procesi i formimit të institucioneve të reja.
“Ajo që i intereson subjektit tonë politik është analiza e rezultatit zgjedhor dhe formimi i institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 7 qershorit”, tha Zemaj.
I pyetur nëse gjatë mbledhjes do të diskutohet për pozitën e kryetarit Lumir Abdixhiku, ai nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë, duke theksuar se çështjet e brendshme duhet të trajtohen brenda organeve të partisë.
“Debatet preferoj të zhvillohen brenda subjektit tim politik, duke ruajtur unitetin dhe synimin për fitore. Megjithatë, çdo rezultat zgjedhor kërkon reflektim mbi shifrat dhe performancën e partisë”, u shpreh Zemaj./teve1.info/







