Nën tingujt e himnit amerikan, nisi ceremonia.
Kështu flamuri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës këtë të shtunë u ngrit në shtizën e Xhamisë “Prof. Dr. Bedri Kamberi” në Prishtinë.
Ky aktivitet u organizua në shënim të 250-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Për të katërtin vit me radhë, ceremonia u mbajt si shenjë mirënjohjeje për mbështetjen historike amerikane ndaj Kosovës.
“Sot është një ditë e veçantë. Për të katërtën vit radhazi, në oborrin e kësaj xhamie po ngremë flamurin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në shtizë për të shënuar Ditën e Pavarësisë së saj. Ky nuk është thjesht një akt ceremonial, është një gjest protokollar, është një shprehje e sinqertë mirënjohjeje. Sot Amerika kremton 250-vjetorin e pavarësisë. Një jubile historik që na kujton lindjen e një shteti të ndërtuar mbi një parim të madh: se njeriu ka dinjitet, se liria është e shenjtë dhe se të drejtat themelore nuk burojnë nga pushteti i njerëzve, por ato burojnë nga Krijuesi i Madhërishëm”, deklaroi imami Labinot Maliqi.
Sipas imamit Maliqi, ngritja e flamurit amerikan tashmë është kthyer në traditë.
“Një nga vlerat më të çmuara mbi të cilat u ndërtua Amerika është liria e fesë dhe e ndërgjegjes. Themeluesit e saj e kuptuan se besimi nuk mund të imponohet me forcë dhe se njeriu duhet të jetë i lirë ta kërkojë të vërtetën me bindje, me arsye dhe me ndërgjegje. Si popull që kemi përjetuar luftën, padrejtësinë dhe mungesën e lirisë, ne e dimë më mirë se sa e shtrenjtë është liria dhe sa shumë vlen një mik i vërtetë në ditët më të vështira”, shtoi ai.
Në fund të ceremonisë, Maliqi theksoi se mirënjohja është një vlerë që buron edhe nga mësimet fetare.
“Feja jonë na mëson se mirënjohja është virtyt shumë i madh. Profeti Muhamed, lavdatat dhe bekimet e Zotit qofshin për të, na ka lënë një mësim të përjetshëm, i cili thotë: “Kush nuk i falënderon njerëzit, nuk e ka falënderuar Zotin.” Sot, përmes kësaj ceremonie modeste, por me domethënie shumë të madhe, ne e vëmë në jetë pikërisht këtë mësim. Ne falënderojmë një mik të madh, duke mos harruar se burimi i çdo mirësie është prej Zotit të madhëruar dhe se Atij i takon falënderimi më i lartë. Prandaj sot, nga oborri i kësaj xhamie në Prishtinë, themi me respekt, me zemër dhe me mirënjohje: Faleminderit, Amerikë! Faleminderit për miqësinë e qëndrueshme! Faleminderit për mbështetjen e palëkundur! Faleminderit për kontributin historik në lirinë, paqen dhe shtetndërtimin e Republikës së Kosovës!”, përfdundoii ai.
E një aktivitet tjetër u mbajt edhe nga Shoqata “Miqtë e Amerikës” te shtatorja e Presidentit ‘’Bill Clinton’’ të cilët përmes ngritjes dhe nderimit të flamurit amerikan në një formë të re ceremoniale shënuan festimet për 250-vjetorin e pavarësisë së SHBA-së.






