Prokuroria Speciale ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë vazhdimin e paraburgimit edhe për, 2 muaj ndaj Arian Aliaj, Spartak Dermaku, Blerim Krasniqi, të akuzuar për financim të terrorizmit shpëlarje parash, armë e vepra të tjera.
Në kërkesën e Prokurorisë, thuhet se ekziston dyshimi i përsëritjes së veprës nga të arrestuarit.
“Ende ekziston rreziku i përsëritjes së veprave penale, duke marrë për bazë peshën e veprave penale, rrethanat në të cilat të njëjtit kanë vepruar, e duke marrë për bazë edhe karakteristikat e tyre personale si dhe rrezikshmërinë shoqërore të veprave penale duke përfshirë vepra të rënda penale si të krimit të organizuar, financimit të terrorizmit, shpëlarjes së parasë, kanosje, mashtrim, mbajtjes dhe trafikimit të armëve e narkotikëve, detyrimit, lëndimit trupor dhe veprave të tjera penale të cilat dyshohen, ekziston rreziku i përsëritjes së veprave penale të njëjta apo të ngjashme”, thuhet në kërkesë.
Të dyshuarit gjenden në masën e ndalimit nga data 9 qershor.
“Në një periudhë kohore nga një datë ende e paidentifikuar e deri me datë 09.06.2026, në territorin e Shtetit të Zvicrës, Maqedonisë dhe Kosovës, dhe shteteve tjera, me dashje dhe me dijeni qoftë të qëllimit dhe veprimtarisë së përgjithshme të grupit kriminal të organizuar ose qëllimit të grupit për të kryer një apo më shumë vepra penale të Mashtrimit, Detyrimit, Kanosjes dhe Shpëlarjes së Parave; me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë të një dobie financiare, në mënyrë aktive kanë marrë pjesë në veprimtaritë kriminale të një grupi të organizuar të përbërë nga të lartcekurit ku veprimtaria kryesore e grupit të organizuar ishte mashtrimi dhe detyrimi i të dëmtuarve ashtu që të njëjtit fillimisht e vënë në lajthim tani të dëmtuarin Fuad (Hysen) Hajdarin me të cilin fillimisht takohet me të njëjtin me qëllim që të blejë nga i njëjti para virtuale – Bitcoin dhe USD, për çka edhe i dëmtuari në emër te personit juridik “RichardEfis/Amfico S.A” me seli në Zvicër e në përputhje me rekomandimet e vartësit e tij e ndonjëherë edhe bashkë me të nga ky grup ka blerë pare virtuale Bitcoin dhe USD, për çka i dëmtuari dhe vartësi i tij – pronari i firmës kanë kërkuar nga të pandehurit që për këtë transaksion dhe këto blerje të pajiset me kupon fiskal, mirëpo të pandehurit i kanë vënë në lajthim të dëmtuarit në atë mënyre që jo vetëm qe nuk i kanë pajisur me kuponë fiskal për me tepër të njëjtit kanë krijuar llogari bankare fiktive ashtu që ne momentin kur i kanë pranuar të hollat të njëjtat pasi i kane tërhequr llogaritë e njëjta i kanë deaktivizuar, e me të vërejtur një situate tillë i dëmtuar FuadHajdari ka shkuar në Shkup me qëllim që të sqarohej me të pandehurin Median Abazi i cili pasi është takuar në zyrat e firmës “Trezor X”, i ka kërkuar të dëmtuarit kohe për sigurimin e kuponëve fiskal për blerje te parave virtuale, e që pas kthimit të tij në Zvicër të dëmtuarit i është kërkuar që mos të vazhdojë ti kërkojë për shkak se i pandehuri Median nuk mund ti sigurojë fatura e tilla”,thuhet ndër të tjera nga Prokuroria.
Kërkesën për vazhdimin e paraburgimit edhe për dy muaj e ka konfirmuar për Tëvë1 edhe avokati i Spartak Dermakut, Ilir Rama.
Operacioni “White Star”- Prokuroria dhe Policia japin detaje, arrestohen tre persona









