Forca e Sigurisë së Kosovës ka përfunduar me sukses trajnimin për dekontaminimin e viktimave në masë, duke rritur gatishmërinë për reagim në situata emergjente që përfshijnë materie të rrezikshme.
Trajnimi kishte për qëllim aftësimin e pjesëtarëve të kësaj kompanie për ngritjen, sistemimin, funksionalizimin dhe operimin me sistemin e dekontaminimit të viktimave në masë, i cili përdoret në raste të incidenteve me numër të madh të të prekurve.
Sipas FSK-së, sistemi i sofistikuar i dekontaminimit mundëson ndërhyrje të shpejtë dhe efikase në situata emergjente, duke ofruar mbështetje për qytetarët në rastet e ekspozimit ndaj materieve të rrezikshme.
Forca e Sigurisë së Kosovës thekson se mbetet e përkushtuar në ngritjen e vazhdueshme të kapaciteteve profesionale dhe operative, me qëllim ofrimin e ndihmës dhe mbështetjes për qytetarët në çdo situatë që kërkon reagim të specializuar.







