Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë në tryezën me rastin e Ditës Ndërkombëtare kundër Abuzimit me Droga dhe Trafikimit të Paligjshëm, ku ka theksuar se abuzimi me substanca narkotike dhe trafikimi i tyre paraqesin një nga rreziqet më serioze për rininë dhe sigurinë shoqërore në vend.
Në fjalën e saj, Haxhiu tha se për drogat dhe pasojat e tyre duhet të flitet hapur, në mënyrë të drejtë dhe pa paragjykime, duke filluar nga shkollat, familjet dhe institucionet.
“Për drogat dhe pasojat e tyre duhet të flasim hapur, pa paragjykime dhe pa e fshehur rrezikun. Duhet të flasim në shkolla, me prindër, me mësimdhënës dhe me vetë të rinjtë, para se problemi të shfaqet në familje si krizë”, u shpreh Haxhiu.
Ajo theksoi se vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet shkollave, sidomos pas raportimeve për praninë apo shitjen e substancave narkotike pranë tyre.
Sipas saj, parandalimi fillon me informim të saktë, përfshirjen e prindërve, psikologëve dhe mësimdhënësve të trajnuar, si dhe me një qasje të drejtë komunikimi me të rinjtë.
“Rreziku që afrohet te oborri i shkollës e bën parandalimin detyrë të menjëhershme të familjes, shkollës, institucioneve dhe gjithë komunitetit”, tha ajo.
Haxhiu shtoi se në këtë proces janë të domosdoshme koordinimi institucional dhe angazhimi i gjerë shoqëror, duke përmendur edhe rolin e organizatave që punojnë në këtë fushë, si “Labyrinth”.
Ajo theksoi se personat me varësi nuk duhet të trajtohen si kriminelë, por si individë që kanë nevojë për trajtim dhe rehabilitim, ndërsa trafikantët, sipas saj, duhet të përballen me ligjin pa kompromis.
“Kriminel është ai që e shfrytëzon dobësinë e tij, që e furnizon dhe që përfiton”, u shpreh Haxhiu.
Në fund, ajo rikujtoi se Kosova ka tashmë Strategjinë Shtetërore Kundër Drogave 2024–2028, por theksoi se lufta kundër narkotikëve kërkon punë të vazhdueshme, jo vetëm dokumente.
“Kjo ditë është thirrje për më shumë përgjegjësi, më shumë koordinim dhe më shumë veprim. Çdo jetë e shpëtuar nga varësia është fitore për familjen, shoqërinë dhe shtetin tonë”, tha Haxhiu.







