Dy persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur paraditen e së enjtes në Pejë.
Sipas informacioneve të Policisë së Kosovës, aksidenti është regjistruar në rrugën “UÇK”, ku fillimisht janë përplasur dy automjete në lëvizje. Si pasojë e goditjes, janë dëmtuar edhe dy vetura të tjera që ndodheshin të parkuara pranë vendit të ngjarjes.
Zëdhënësi rajonal i Policisë në Pejë, Driton Rugova, ka bërë të ditur se të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor.
“Sot rreth orës 11:50, Policia është njoftuar për një aksident trafiku i cili ka ndodhur në rrugën ‘UÇK’ në Pejë. Në këtë aksident ishin të involvuara dy vetura, por janë dëmtuar edhe dy vetura të tjera të cilat ishin të parkuara”, tha Rugova.
Ai shtoi se të lënduarit janë transportuar në Spitalin Rajonal të Pejës për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
“Si pasojë e aksidentit, dy persona kanë pësuar lëndime trupore. Të njëjtit janë dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë për tretman mjekësor”, deklaroi Rugova.
Ndërkohë, autoritetet kompetente kanë nisur hetimet për të sqaruar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.
“Rasti është duke u hetuar nga hetuesit e aksidenteve”, përfundoi zëdhënësi i Policisë.







