Policia e Kosovës ia ka dalë që të parandaloj transferimin e një arsenali armësh nga Podujeva në Shtutgard të Gjermanisë.
Për këtë njoftoi vet organi shtetëror i zbatimit të ligjit.
Sipas njoftimit, gjatë kontrollit në një depo, u gjetën plot pesë armë të gjata AK47, një armë e gjatë e modelit M12, një armë e gjatë e një prodhuesi të panjohur, si dhe një pistoletë Glock.
I gjithë plani i transportimit të këtyre armëve mbi 1 mijë kilometra larg Kosovës, u hartua nga tre të dyshuar.
“Lidhur me rastin paraprakisht policia ka marrë informata se tre të dyshuar meshkuj kosovarë ishin organizuar që armët e lartcekura të dërgonin në Shtutgard, Gjermani. Me urdhër të prokurorit janë bastisur shtëpitë e të dyshuarve mirëpo, të dyshuarit nuk janë hasur dhe të njëjtit janë në kërkim të policisë. Rasti në procedurë hetimore”, ka bërë të ditur Policia.
Për rastin, Policia nuk ka dhënë detaje shtesë.
E me urdhër të prokurorit, është bërë edhe bastisja e shtëpive të të dyshuarve.
Megjithatë, ata nuk janë gjetur aty, dhe kështu vazhdojnë të jenë në kërkim të Policisë.



