Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka organizuar pritje në Ballkonin e Hapur të Qeverisë me rastin e shënimit të Ditës Memoriale të Komunitetit Egjiptian.
Në fjalën e tij, Kurti ka theksuar se ditët memoriale janë më emocionale se ditët festive, pasi, sipas tij, ato shërbejnë si rikujtim për rrugëtimin dhe rolin e komunitetit egjiptian në shoqërinë dhe shtetndërtimin e Kosovës.
Ai ka vlerësuar se ky komunitet ka qenë pjesë e pandarë e historisë së vendit në të gjitha fazat e zhvillimit të tij.
Kurti ka shtuar se komuniteti egjiptian ka dhënë kontribut në fusha të ndryshme si jeta shoqërore, politike, ekonomike dhe kulturore, duke theksuar rëndësinë e barazisë, përfaqësimit dhe respektimit të të drejtave të të gjitha komuniteteve.
Gjatë fjalimit, kryeministri në detyrë ka përmendur edhe figura dhe përfaqësues të komunitetit egjiptian që kanë kontribuar në historinë dhe institucionet e Kosovës, si dhe vlerësoi pjesëmarrjen e tyre në Kuvend dhe në jetën publike.
Kurti ka prezantuar gjithashtu disa masa të Qeverisë që, sipas tij, kanë synuar përmirësimin e kushteve të jetesës për komunitetet joshumicë, përfshirë investime në infrastrukturë, mbështetje për banim, bursa për studentë dhe rritje të punësimit në institucione publike.
Në përmbyllje, ai u ka bërë thirrje për bashkëjetesë dhe bashkëpunim të vazhdueshëm, duke theksuar se Kosova është shtëpi e përbashkët për të gjithë qytetarët e saj./teve1.info/









