Një nga operacionet më të mëdha të viteve të fundit kundër krimit të organizuar ka çuar në lëshimin e 20 masave të sigurisë nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme (SPAK).
Sipas hetimeve, dy grupe kriminale të strukturuara dyshohet se kanë bashkëpunuar për trafikimin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Evropian, si dhe për pastrimin e të ardhurave të përfituara nga aktiviteti kriminal në Shqipëri.
GJKKO ka vendosur 15 masa “arrest me burg” dhe 5 masa “arrest në shtëpi”, ndërsa deri tani është bërë ekzekutimi i një pjese të tyre.
Disa nga personat e dyshuar vazhdojnë të jenë në kërkim. Mes personave për të cilët është lëshuar masë sigurie janë Ardian Zykaj, Alfredo Hamzai, Adrian Rama, Erjon Rama, Orgest Birçaj, Orest Sota, Elton Memeti, Artur Shehu, Leonard Bishaj, Arben Ismailaj, Edmond Jaupi, Besnik Myftari, Dritan Aga, Luçiano Koçeku, Abedin Koçeku, Ervin Koçeku, Astrit Vladi, Kastriot Vladi, Gezim Islami dhe Ilir Shtufi.
Sipas SPAK-ut, grupet kriminale kishin role të mirëpërcaktuara në zinxhirin e trafikut të drogës, duke kontrolluar procesin nga sigurimi i lëndës narkotike deri te transporti dhe shpërndarja e saj në tregun evropian.
Hetimet kanë dokumentuar trafikimin e mbi 6.7 tonëve kokainë drejt Evropës. Në episode të ndryshme janë sekuestruar sasi të konsiderueshme droge, përfshirë 441 kilogramë, 600 kilogramë, 1.2 ton, 1 ton, 1 ton, 162 kilogramë, 882.5 kilogramë, 1.435 ton dhe 22.026 kilogramë kokainë.
Sipas dosjes hetimore, kokaina transportohej e fshehur në kontejnerë me qymyr, fruta dhe produkte të tjera tregtare, ndërsa destinacionet kryesore ishin portet e Antverpit në Belgjikë dhe Roterdamit në Holandë.
Në tregun evropian, një kilogram kokainë shitej nga 26 mijë deri në 30 mijë euro. Autoritetet dyshojnë se fitimet e gjeneruara nga trafiku ndërkombëtar i drogës janë pastruar përmes investimeve dhe transaksioneve të ndryshme financiare në Shqipëri.
Sipas SPAK-ut, vlera e parave që dyshohet se janë pastruar tejkalon 100 milionë euro. Gjatë operacionit janë ushtruar rreth 50 kontrolle në banesa, ambiente biznesi dhe prona të ndryshme.
Po ashtu janë sekuestruar vila luksoze, automjete, llogari bankare, pasuri të paluajtshme dhe asete të tjera me vlerë të konsiderueshme.
Personat nën hetim akuzohen për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale dhe veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Hetimet për çështjen vijojnë, ndërsa SPAK dhe autoritetet ligjzbatuese po punojnë për arrestimin e personave që ende nuk janë lokalizuar.




