Një zyrtar i Gjykatës Themelore në Gjilan, Zharko Stojanviq, është sulmuar pasditen e 17 nëntorit në rrugën “Mulla Idrizi” në Gjilan, derisa ishte duke kryer detyrat e tij zyrtare.
Pas rastit ka reaguar Gjykata Themelore në Gjilan, e cila ka dënuar ashpër sulmin dhe ka kërkuar që rasti të hetohet nga organet kompetente.
Në reagimin e saj, gjykata ka theksuar se sulmet ndaj zyrtarëve gjatë ushtrimit të detyrave zyrtare janë të papranueshme dhe të patolerueshme.
“Gjykata Themelore Gjilan shpreh shqetësimin dhe dënon ashpër sulmin ndaj dorëzuesit të kësaj gjykate, Zharko Stojanviq, i cili është sulmuar gjatë kryerjes së detyrave të tij zyrtare pasditen e datës 17 nëntor 2026, në rrugën ‘Mulla Idrizi’ në Gjilan”, thuhet në reagim.
Tutje, gjykata ka shprehur mbështetje për zyrtarin e saj dhe ka kërkuar që përgjegjësit të dalin para drejtësisë.
“Gjykata Themelore në Gjilan mbështet zyrtarin e saj në kryerjen e detyrave zyrtare dhe kërkon nga organet kompetente që rasti të hetohet me seriozitet dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë”, thuhet në komunikatë.







