Paraditen e së hënës, erdhi në Prokurorinë Themelore të Ferizajt.
Këtu dorëzoi një kallëzim penal.
Amir Rexhepi, asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje në këtë Komunë, po pretendon se në një konkurs në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj pati dallavere.
Ai akuzon drejtoreshën e QKMF-së dhe një zyrtar tjetër për favorizim të një mjeku të cilin sipas tij e kanë punësuar përmes këtij konkursi.
“Fillimisht në muajin nëntor ku QKMF-ja angazhon mjekë, infermierë pa konkurs publik. Ata thirren në një listë të pritjes së gjoja këta persona, këta mjekë, stomatologë kanë qenë në listën e pritjes, mirëpo pas ankesave dhe parregullsive të shumta të këtij procesi vetë QKMF-ja detyrohet që t’a anulojë këtë vendim për nënshkrimin e këtyre kontratave apo këta mjekë që i kishte angazhuar” , ka thënë Rexhepi.
Asamblisti opozitar, thotë se i njëjti fillimisht nuk ishte pranuar, por pas padisë që kishte bërë, i ishte mundësuar të futej në këtë pozitë.
“Pas përgjigjes në padi, palët arrijnë një pajtim gjyqësor. Pra e angazhojnë mjekun në fjalë, i cili nuk e ka respektuar asnjë procedurë dhe ai ka filluar punën në muajin qershor. Pra dy zyrtarët e QKMF-së në këtë rast drejtoresha dhe një zyrtar ligjor arrijnë pajtim gjyqësor me gjyqtaren që gjoja ne po e mbyllim këtë çështje, po i kompensojmë pagat një mjeku që është angazhu pa konkurs publik”, ka thënë tutje Rexhepi.
Mirëpo këto i mohon vetë zyrtari i apostrofuar, i cili thotë se në punësimin e tij janë ndërmarrë të gjithë hapat ligjorë.
“Gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore ka ardhë deri te një pajtim gjyqësor ku mjeku në fjalë është kthy në vendin e punës dhe të gjitha pretendimet në këtë rast të LVV nuk kanë bazë ligjore sepse gjithçka ka qenë transparente dhe sikur ne të donim të bënim diçka të paligjshme në këtë proces, atëherë Gjykata në mënyrë ex-officio në aspektin zyrtar do të kishte me ndalu një veprim të tillë të ‘kundërligjshëm’ në rast se ne do të donim të bënim diçka”, u shprehu Halimi.
Madje, shefi i Administratës e akuzon asamblistin Rexhepi për shantazh.
“I cili komplet angazhimin e tij për me punësu vëllaun në këtë rast, ka qenë angazhim i tij mos të them i shantazhit dhe s’ka funksionu kështu, dhe s;ka funksionu kështu hajde fillojmë me këtë pjesën tjetër përmes organeve të drejtësisë që besoj se organet e drejtësisë me profesionalizëm e shohin vetë dhe për çka bëhet fjalë”, u shpreh tutje Halimi.
Ndryshe, asamblisti bëri thirrje që kallëzimi penal i dërguar nga ai të trajtohet me seriozitet nga organi ndjekës.






