Departamenti Amerikan i Shtetit e ka mbajtur Kosovën në nivelin 2 sa i përket luftimit të trafikimit me qenie njerëzore, duke vlerësuar se institucionet e vendit kanë bërë përpjekje për ta luftuar këtë dukuri, por ende nuk i përmbushin plotësisht standardet minimale.
Pas publikimit të raportit, ka reaguar Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), e cila ka riafirmuar përkushtimin për parandalimin dhe luftimin e trafikimit me njerëz, si dhe për mbrojtjen e viktimave.
Në reagimin e saj, MPB-ja ka theksuar se po ndjek një qasje strategjike, me fokus në identifikimin e hershëm të viktimave, forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe përmirësimin e mekanizmave për referimin dhe trajtimin e rasteve.
Sipas ministrisë, raporti i DASH-it evidenton progres në disa fusha, përfshirë rritjen e financimit për ndihmën ndaj viktimave, realizimin e aktiviteteve parandaluese dhe dënimin e më shumë personave për trafikim.
Të dhënat e prezantuara nga MPB-ja tregojnë se gjatë vitit 2025 institucionet kanë identifikuar 13 viktima të trafikimit me njerëz, ndërsa në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile u është ofruar ndihmë 18 viktimave.
Gjatë së njëjtës periudhë, sipas ministrisë, janë arrestuar 274 të dyshuar dhe janë ngritur kallëzime penale ndaj 290 personave për vepra penale që lidhen me trafikimin me njerëz, mundësimin ose detyrimin në prostitucion, marrjen me prostitucion dhe vepra të tjera.
MPB-ja ka paralajmëruar gjithashtu për rreziqet që paraqesin interneti dhe rrjetet sociale, të cilat mund të shfrytëzohen për rekrutimin dhe mashtrimin e viktimave të mundshme. Në këtë drejtim, ministria ka bërë thirrje për kujdes ndaj ofertave të dyshimta të punës dhe situatave ku personat mund të kërcënohen, kontrollohen ose detyrohen të punojnë kundër vullnetit të tyre.
Në kuadër të fushatës ndërgjegjësuese, ministria ka bërë të ditur se do të vazhdojë informimin e qytetarëve përmes mesazheve SMS, ligjëratave në shkolla dhe shpërndarjes së materialeve informuese për mënyrat e raportimit të rasteve të dyshimta.
Në fund, MPB-ja u ka bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo dyshim për trafikim me qenie njerëzore tek institucionet kompetente, duke theksuar se raportimet trajtohen me konfidencialitet dhe se bashkëpunimi i qytetarëve është i rëndësishëm për identifikimin dhe mbrojtjen e viktimave.








