Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka uruar Kosovën me rastin e 27-vjetorit të çlirimit.
Përmes një postimi në Facebook, Begaj ka vlerësuar se liria e Kosovës u arrit falë sakrificës së mijëra burrave dhe grave, luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mbështetjes së aleatëve ndërkombëtarë, veçanërisht NATO-s.
“Urime Ditën e Çlirimit, Kosovë! Liria e Kosovës erdhi në sajë të sakrificës sublime të mijëra burrave dhe grave, luftës heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe vendosmërisë së aleatëve tanë strategjikë”, ka shkruar Begaj.
Presidenti shqiptar ka shprehur mirënjohje për aleatët ndërkombëtarë që mbështetën Kosovën në rrugën drejt lirisë.
“Faleminderit NATO-s që qëndroi në anën e drejtësisë, lirisë dhe dinjitetit njerëzor në një nga momentet më vendimtare të historisë së kombit tonë!”, thuhet në postimin e tij.
Begaj ka nderuar gjithashtu luftëtarët e UÇK-së, dëshmorët dhe të gjithë ata që kontribuuan për çlirimin e Kosovës.
“Mirënjohje për luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për sakrificën e dëshmorëve dhe të gjithë atyre që kontribuan për lirinë e Kosovës! Lavdi të përjetshme dëshmorëve të lirisë!”, ka shkruar Begaj.







