Gjykata Themelore në Prishtinë u ka caktuar nga një muaj paraburgim të arrestuarave ditë më parë në operacionin “Mega”.
Spartak Dërmaku, Arian Aliaj dhe Blerim Krasniqi dyshohen për organizim të grupit kriminal, shpërlaje të parave e financim i terrorizmit.
“S.D., B.K. dhe A.A., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale, Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar, lidhur me veprat penale Mashtrimi dhe Detyrimi, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Shpërlarja e parave, i pandehuri B.K., për shkak te veprës penale Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse dhe Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge, të pandehurit S.D. dhe B.K. në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit, i pandehuri S,D., për shkak te veprës penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe i pandehuri A.A., për shkak të veprës penale Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”, thuhet nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, Gjykata vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate, pasi ekziston rrezik real që nëse të pandehurit lihen në liri, mund të arratisen me qëllim të fshehjes dhe ikjes nga përgjegjësia penale.
Gjykata gjithashtu vlerësoj se nëse të pandehurit lihen në liri, ekziston rreziku që të njëjtit do të përsërisin veprat penale, po ashtu të ndikojnë edhe në dëshmitarë, andaj konstatoi se masa e paraburgimit tani për tani është e vetmja masë për rrjedhjen e pa penguar të procedurës penale në këtë çështje penale.
Por, vendimi për caktimin e masës së paraburgimit nuk u është dhënë palëve.
Këtë e konfirmoi për teve1.info, avokati i Dërmakut, Ilir Rama i cili tha se vetëm i është konfirmuar kjo masë nga gjykatësja e rastit, derisa shtoi se nuk kanë pranuar ende vendimin për këtë masë, dhe se nuk pritet që ta marrin deri të nesërmen.







