Dy ditë pas zgjedhjeve të parakohshme, në gjithë Kosovën ka nisur numërimi i votave.
Kështu, në faqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në kohë reale po publikohen rezultatet.
Kandidatëve më të votuar të listës së Lëvizjes Vetëvendosje, që në rezultatet preliminare siguroi 42,95% të votave, i prin kryetari Albin Kurti me 70 mijë vota deri më tani.
I dyti më i votuar në Vetëvendosje, është Glauk Konjufca me rreth 56 mijë vota. Konjufcën e pason ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu me mbi 32 mijë vota.
Listën e pesë më të votuarve e përmbyllin Hekuran Murati me mbi 28 mijë vota, dhe Donika Gërvalla me mbi 26 mijë vota.
E në top 10-tëshe hyjnë edhe Xhelal Sveçla, Avni Dehari, Mimoza Kusari Lila, Hajrullah Çeku e Ejup Maqedonci.
Në zgjedhjet e 7 qershorit, Partia Demokratike e Kosovës u rendit e dyta.
Më të votuarve të PDK-së, iu prin kryetari Bedri Hamza me mbi 34 mijë vota.
Pas Hamzës, rezultat të mirë ka shënuar sërish Përparim Gruda me mbi 21 mijë vota.
Pas Grudës, top 3-shen e PDK-së tash për tash e përmbyll Arian Tahiri me mbi 18 mijë vota.
Pas tyre renditen Uran Ismaili me mbi 16 mijë vota, dhe Sala Jashari me mbi 12 mijë vota.
Top 10-shen e PDK-së e plotësojnë Vlora Çitaku, Ganimete Musliu, Arben Mustafa, Mërgim Lushtaku dhe Enver Hoxhaj.
Për dallim nga zgjedhjet e kaluara, Lidhja Demokratike e Kosovës ka pësuar më së shumti ndryshime në dhjetëshen e më të votuarve.
Kësaj radhe, Vjosa Osmani si bartëse e listës është kandidatja më e votuar me mbi 22 mijë vota.
Pas tij vjen kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku me mbi 20 mijë vota.
E treta më e votuara në LDK është Doarsa Kica Xhelili me mbi 16 mijë vota.
Në top 5she janë edhe Hykmete Bajrami dhe Avdullah Hoti, pavarësisht se të dy garës i hynë si kandidatë të renditur jashtë dhjetëshes së parë.
Pas tyre në mesin e më të votuarve është i biri i Presidentit Historik, Ibrahim Rugova, Uka, i pasuar nga Kujtim Shala, Anton Quni, Armend Zemaj dhe Lutfi Haziri.
Sikur në LDK, edhe në Aleancë ka disa ndryshime të rëndësishme.
Në këto zgjedhje si më i votuari është kandidati për kryeministër Ardian Gjini me mbi 11 mijë vota.
I dyti renditet ish-kryetari i partisë, Ramush Haradinaj, i pasuar nga i vëllai Dauti.
Pas tyre vijnë Benik Tahiri e Bekë Berisha që të paktën tash për tash e përmbyllin top pesëshen e Aleancës.
Në mesin e dhjetë më të votuarve në këtë parti hyjnë edhe Burim Ramadani, Time Kadrijaj, Agim Çeku, Arbër Tolaj e Albana Bytyqi.






