Pa presionin nga Serbia, serbët e Kosovës me siguri do t’i artikulonin më mirë interesat e tyre, duke qenë të vetëdijshëm se Lista Serbe para së gjithash përfaqëson interesat e regjimit të Aleksandar Vuçiqit. Kështu deklaron kryetarja e Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko në një intervistë për RTKLive.
Megjithatë mandati i Nenad Rashiqit, sipas saj, tregon se një pjesë e elektoratit serb nuk voton sipas udhëzimeve të Beogradit dhe se ekziston një mundësi reale që serbët në Kosovë t’i zgjedhin vetë përfaqësuesit e tyre politikë. Në fund të fundit, mandati i Rashiqit dëshmon se dominimi i Beogradit nuk është absolut, thotë ajo.
“Komisioni për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian, në raportin për Kosovën të përgatitur nga Riho Terras, vlerësoi se Kosova ka humbur një vit të rëndësishëm për shkak të bllokadës politike, duke paralajmëruar se edhe muajt e ardhshëm mund të ndikohen nga procesi zgjedhor”.
Kryetarja e Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, për RTKLive thotë se ky vlerësim para së gjithash konfirmon shqetësimin e partnerëve evropianë për paralizën institucionale në Kosovë dhe ndikimin e saj në reformat, integrimin evropian dhe pozitën ndërkombëtare të vendit.
“Bashkimi Evropian pret institucione funksionale që janë të afta të marrin vendime dhe të zbatojnë reforma, ndërsa ngërçi i zgjatur politik dërgon mesazh të kundërt. Është e vështirë të thuhet nëse thelbi i problemit me të cilin përballet shoqëria kosovare është vetëm qëndrimi personal i opozitës ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Edhe pse pa dyshim ekzistojnë tensione politike dhe një nivel i lartë mosbesimi ndërmjet Kurtit dhe liderëve opozitarë, sipas mendimit tim thelbi i mosmarrëveshjes është më i thellë”, thotë Sonja Biserko.
Në çfarë kuptimi më i thellë thelbi i mosmarrëveshjes?
Biserko: Mendoj se bëhet fjalë për qasje të ndryshme politike ndaj qeverisjes së shtetit, raportit me dialogun me Serbinë, bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, si dhe për luftën për dominim politik në hapësirën politike të Kosovës. Gjatë mandatit të tij si kryeministër, Albin Kurti ka ndërtuar një politikë që këmbëngul në sovranitetin dhe pavarësinë më të madhe në marrjen e vendimeve, për çka shpesh ka pasur mospajtime me aktorët ndërkombëtarë.
Megjithatë, aktorët ndërkombëtarë për një kohë të gjatë i kanë bërë lëshime Beogradit dhe shpesh e kanë ndëshkuar Prishtinën, e jo Beogradin, për moszbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe asaj të Brukselit. Gjithashtu, ata konsideronin se Qeveria e Kosovës duhej ta koordinonte çdo veprim me ta. Qeveritë e Albin Kurtit, megjithatë, kanë treguar më shumë pavarësi dhe iniciativë, gjë që sipas mendimit tim kontribuon ndjeshëm në popullaritetin e tij te qytetarët.
Nga ana tjetër, opozita e kritikon Kurtin për mungesë gatishmërie për kompromis dhe për stilin e tij të qeverisjes, të cilin e konsideron tepër konfrontues.
A kanë të drejtë?
Biserko: Edhe nëse kanë, kjo nuk është thelbi i problemit. Çfarëdo qofshin arsyet, mendoj se opozita nuk ka treguar se i kupton rrethanat ndërkombëtare, të cilat aktualisht nuk janë të favorshme as për rajonin e as për vetë Kosovën.
Kurti dhe përkrahësit e tij konsiderojnë se opozita përfaqëson vazhdimësinë e strukturave të vjetra politike dhe se shpesh vendos interesat afatshkurtra politike përpara prioriteteve shtetërore. Pikërisht për këtë arsye qëndron vlerësimi se bllokada politike në Kosovë nuk është vetëm pasojë e antipative personale ndaj Kurtit, por e dallimeve më të thella politike dhe strategjike për rrugën që duhet të ndjekë Kosova dhe mënyrën se si duhet t’i përcaktojë marrëdhëniet e saj me Serbinë, Bashkimin Evropian dhe komunitetin ndërkombëtar në përgjithësi.
Kam frikë se muajt e ardhshëm do të varen vërtet nga logjika zgjedhore, gjë që e vështirëson edhe më shumë arritjen e konsensusit të nevojshëm politik. Kosova po i vuan pasojat e bllokadës së zgjatur politike. Paqëndrueshmëria institucionale e ngadalëson marrjen e vendimeve të rëndësishme, reformat dhe përparimin në rrugën evropiane, ndërsa në të njëjtën kohë ndikon negativisht në klimën ekonomike dhe besimin e qytetarëve në sistemin politik. Pikërisht për këtë paralajmëron Parlamenti Evropian kur flet për një “vit të humbur”.
Pra nuk prisni që situata të stabilizohet ndjeshëm pas 7 qershorit?
Biserko: Kjo do të varet para së gjithash nga gatishmëria e aktorëve politikë për t’i tejkaluar konfliktet e ndërsjella dhe për të arritur një minimum konsensusi për prioritetet kyçe shtetërore. Me rëndësi është edhe rezultati zgjedhor dhe nëse ai do t’i japë shumicës aktuale qeverisëse, në rast fitoreje, më shumë hapësirë veprimi.
Nëse pas zgjedhjeve nuk do të ketë gatishmëri më të madhe për kompromis, ekziston rreziku që bllokada politike të vazhdojë, gjë që do të ngadalësonte më tej integrimet evropiane dhe dialogun me Serbinë, e cila në rrethanat aktuale të brendshme politike nuk është e gatshme për bisedime. Dialogu aktualisht zhvillohet prapa skenës dhe në mënyrë jotransparente. Peter Sørensen po përpiqet të përgatisë një kornizë që do të përshpejtonte integrimin evropian si të Kosovës ashtu edhe të Serbisë.
Në raport konfirmohet rëndësia e dialogut Kosovë–Serbi si pjesë e procesit të integrimit evropian. Njëkohësisht kërkohet që përgjegjësit për sulmin terrorist në Banjskë të dalin para drejtësisë dhe shprehet shqetësim për mungesën e ndjekjes penale ndaj Milan Radoiçiqit. Sa është Serbia e interesuar për vazhdimin e dialogut?
Biserko: Shtrohet pyetja nëse ky proces ende është instrument i normalizimit apo është bërë një kornizë ku minimizohen pikat e krizës pa një vullnet të vërtetë politik për një marrëveshje përfundimtare.
Kosova dhe Serbia formalisht janë të orientuara drejt integrimeve evropiane, por në praktikë ky proces po rëndohet gjithnjë e më shumë nga mosbesimi, incidentet në terren dhe mungesa e mekanizmave të qartë të përgjegjësisë. Shoqëria dhe elitat politike të Kosovës janë sinqerisht të orientuara drejt integrimit, ndërsa pushteti aktual në Serbi në thelb nuk është i interesuar për anëtarësim në BE, gjë që dëshmohet edhe nga fakti se prej vitesh nuk ka përparim në reforma dhe Serbia po anon gjithnjë e më shumë drejt autoritarizmit.
Rasti i Banjskës është një test kyç.
Në çfarë kuptimi?
Biserko: Sulmi i shtatorit 2023 është cilësuar në shumicën e raporteve ndërkombëtare si një përshkallëzim serioz i sigurisë dhe pritja që autorët dhe organizatorët të ndiqen penalisht është bërë kusht politik dhe juridik për besueshmërinë e Serbisë në procesin e normalizimit.
Në këtë kontekst, mungesa e ndjekjes penale ndaj Milan Radoiçiqit, paraqitjet e tij publike dhe mesazhet politike që pasuan perceptohen në Bruksel dhe në një pjesë të vendeve anëtare të BE-së si mungesë gatishmërie e Serbisë për ta procesuar atë. Mund të shtrohet edhe pyetja nëse, në kaosin e përgjithshëm që po dëshmojmë, Vuçiqi ka forcën dhe pushtetin për një hap të tillë.
Beogradi formalisht mbetet i orientuar drejt BE-së – Vuçiqi nuk e humb rastin ta theksojë këtë – por në thelb kërkon mbështetje te SHBA-ja dhe Kina, sepse ky është kuadri që i hap dyert fondeve evropiane, komunikimit politik me BE-në dhe ruajtjes së pozitës së “aktorit konstruktiv” në rajon. Megjithatë, Beogradi nuk e gëzon më atë pozitë.
Po si shihet tani?
Biserko: Beogradi shihet me dyshim. Duhet pasur parasysh se problemi thelbësor për Beogradin është se përfundimi i dialogut me një marrëveshje juridikisht detyruese do të nënkuptonte pranimin implicit ose eksplicit të realitetit të shtetësisë së Kosovës, gjë që në kontekstin e brendshëm politik të Serbisë mbetet ende e rrezikshme.
Vuçiqi e ka dorëzuar Kosovën, por vazhdon ta kontrollojë Listën Serbe për të dëshmuar se Kosova nuk është e aftë për shtetësi, ndërsa njëkohësisht mban gjallë narrativën se “Kosova është zemra e Serbisë”. Në këtë kuptim, çështja e Banjskës nuk është vetëm çështje sigurie apo drejtësie, por edhe dëshmi e mungesës së vullnetit politik. Përderisa rastet kyçe mbeten të pazbardhura ose të papërpunuara mjaftueshëm, në BE do të ekzistojë perceptimi se Serbia në dialog vepron më shumë taktikisht sesa strategjikisht.
Në zgjedhjet e kaluara parlamentare, Lista Serbe nuk i fitoi të dhjeta mandatet në Kuvendin e Kosovës, megjithëse Vuçiqi e mbështeti fuqishëm. A ka Nenad Rashiqi gjasa ta përsërisë rezultatin?
Biserko: Lista Serbe për vite me radhë ka qenë instrument politik i Beogradit në Kosovë dhe monopoli i saj mbi “të dhjetë mandatet” ka shërbyer për kontrollin e trupit politik serb, përmes presioneve, shantazheve dhe mjeteve të tjera. Në këtë mënyrë pengohet çdo përpjekje për pluralizim brenda spektrit politik serb në Kosovë, gjë që do të nënkuptonte edhe më pak kontroll mbi negociatat dhe proceset lokale politike.
Nenad Rashiq paraqet një alternativë ndaj kësaj strukture: ai merr pjesë në institucionet e Kosovës në mënyrë të pavarur nga Beogradi dhe pikërisht për këtë është problem politik për Listën Serbe. Mandati i tij tregon se një pjesë e elektoratit serb nuk voton sipas udhëzimeve të Beogradit dhe se ekziston mundësia reale që serbët në Kosovë të zgjedhin vetë përfaqësues të ndryshëm politikë.
Megjithatë, hapësira politike e Rashiqit është e kufizuar, sepse ai nuk ka mbështetjen mediatike dhe mbrojtjen politike që gëzon Lista Serbe. Mendoj se ai realisht ka gjasa ta fitojë përsëri mandatin, por kjo varet nga dalja e serbëve në votime në veri të Kosovës – ku presioni nga Serbia është më i fortë – si dhe nga vetë presioni politik i Beogradit.
Mandati i Rashiqit tregon se dominimi i Beogradit nuk është absolut. Pa presionin nga Serbia, serbët e Kosovës me siguri do t’i artikulonin më mirë interesat e tyre, duke qenë të vetëdijshëm se Lista Serbe para së gjithash përfaqëson interesat e regjimit të Aleksandar Vuçiq.
Në kuptimin politik, serbët janë pengje të Beogradit, ashtu siç kanë qenë serbët në Kroaci, Mal të Zi dhe Bosnje e Hercegovinë. Në këtë mënyrë pengohet konsolidimi jo vetëm i Kosovës, por edhe i të gjithë rajonit. Megjithatë, mendoj se serbët po shkëputen gradualisht nga ndikimi i Beogradit dhe do të synojnë gjithnjë e më shumë zgjidhjen e pavarur të interesave të tyre./rtk








