Qeveria shqiptare ka hedhur hapin e parë drejt rregullimit të teknologjive të reja përmes hartimit të projektligjit “Për Inteligjencën Artificiale”. Nisma, e cila ka hyrë zyrtarisht në fazën e konsultimit publik për periudhën 29 maj – 26 qershor 2026, synon të vendosë një kuadër të rreptë ligjor mbi zhvillimin, vendosjen në treg dhe përdorimin e këtyre sistemeve në vend, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, shkruan rtsh.al.
Përafrimi me legjislacionin evropian dhe nevoja për rregullim
Sipas relacionit shpjegues që shoqëron draftin, ky projektligj është një detyrim që buron nga Kapitulli 10 i integrimit, “Transformimi Digjital dhe Media”. Mungesa e një kuadri të tillë deri më sot është vlerësuar si një rrezik për pasiguri juridike dhe cenim të të dhënave personale.
Për të adresuar këtë boshllëk, autoritetet kanë marrë si model bazë Aktin Evropian për Inteligjencën Artificiale. Relacioni i projektligjit thekson specifikisht:
“Projektligji është hartuar në përputhje me strukturën dhe parimet e Rregullores (BE) 2024/1689 (AI Act) dhe është i organizuar në 9 krerë, disa seksione tematike, 106 nene dhe 13 anekse, të cilat rregullojnë në mënyrë të plotë zhvillimin, vendosjen në treg, përdorimin, mbikëqyrjen dhe zbatimin e sistemeve të inteligjencës artificiale në Republikën e Shqipërisë.”
Dokumenti argumenton se ndërhyrja ligjore është e pashmangshme për shkak të dinamikave teknologjike, duke nënvizuar se:
“Zhvillimi i shpejtë i sistemeve të inteligjencës artificiale ka krijuar nevojën për një kuadër të posaçëm ligjor që garanton përdorimin e sigurt, transparent dhe të përgjegjshëm të këtyre teknologjive.”
Klasifikimi i rrezikut dhe ngritja e autoriteteve mbikëqyrëse
Një nga shtyllat kryesore të draftit është ndarja e sistemeve të Inteligjencës Artificiale bazuar në nivelin e rrezikut që ato paraqesin për qytetarët. Ligji i ri parashikon ndalimin e praktikave të papranueshme të IA-së, si dhe vendosjen e kërkesave strikte teknike dhe organizative për sistemet e klasifikuara me “rrezik të lartë”. Gjithashtu, do të krijohen të ashtuquajturat “sandbox-e rregullatore” për të nxitur inovacionin në një mjedis të kontrolluar.
Për zbatimin e këtij legjislacioni, drafti ngarkon me përgjegjësi disa institucione kyçe. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) do të shërbejë si autoritet koordinues, ndërsa procesi i mbikëqyrjes do të përfshijë edhe autoritetet e mbikëqyrjes së tregut, si dhe Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Konsultimi me grupet e interesit
Sipas planit të përgatitur nga hartuesit, i cili i drejtohet shoqërisë civile dhe institucioneve të interesuara, procesi i konsultimit do të zhvillohet përmes platformës e-konsultimi dhe takimeve publike. Nuk parashikohen efekte financiare shtesë për buxhetin e shtetit për zbatimin e kësaj nisme. Të interesuarit kanë afat deri në fund të muajit qershor për të dërguar sugjerimet e tyre përpara se drafti të kalojë për miratim në Këshillin e Ministrave.









