Autoritetet e Kosovës kanë marrë të enjten nën administrim objektin e stacionit hekurudhor në Zveçan, në kuadër të veprimeve për shtrirjen e kontrollit institucional në veri të vendit.
Në aksion morën pjesë ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha, si dhe zyrtarë të Policisë së Kosovës nga rajoni i veriut.
Gjatë ndërhyrjes u hoq mbishkrimi në alfabetin cirilik nga objekti i stacionit dhe u vendosën tabela të reja në gjuhën shqipe dhe serbe, bashkë me flamurin shtetëror të Kosovës.
Sveçla deklaroi se aksioni nuk lidhet me zhvillimet politike apo fushatën zgjedhore, por me zbatimin e ligjit në të gjitha komunat e vendit.
Ai tha se stacioni hekurudhor ishte një nga objektet e fundit që sipas tij, funksiononte në kuadër të strukturave paralele të Serbisë dhe paralajmëroi se institucionet do të veprojnë edhe ndaj rasteve të tjera të ngjashme.
“Jo, kjo është pjesë e detyrës sonë për të siguruar që rendi dhe ligji të jenë të pranishëm kudo, përfshirë të gjitha komunat e Republikës së Kosovës. Kjo është një nga institucionet e fundit që ende funksiononte nën strukturat paralele dhe ilegale të Serbisë”, ka thënë Sveçla, transmeton Kossev.
Ndërkohë, ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha, bëri të ditur se pas Zveçanit, veprime të ngjashme pritet të zhvillohen edhe në Leposaviq dhe Leshak.
Sipas autoriteteve, objekti i stacionit do të përfshihet në planet për rehabilitimin e rrjetit hekurudhor të Kosovës, megjithëse linja hekurudhore në atë zonë nuk është funksionale prej vitesh.







