Në prag të festës së Kurban Bajramit, institucionet e Kosovës kanë parandaluar disa raste të ndryshme të tentimit për futje ilegale (kontrabandës) të deleve në territorin e vendit. Kështu edhe sot, policia e Kosovës në fshatin Dumnicë ka parandaluar një rast të kontrabandimit prej 31 deleve nga Serbia.
Ndonëse, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) thotë se kafshët e kapura pa dokumentacion përcjellës apo dëshmi të origjinës janë nën procedura kontrolli dhe trajtimi sipas legjislacionit në fuqi.
Ani se është në përgjegjësi e Doganës së Kosovës menaxhimi i terminaleve doganore, ky institucion nuk ka dhënë detaje për KosovaPress lidhur me trajtimin e këtyre kafshëve të kontrabanduara, të cilat mbahen në këto terminale, sidomos në Merdarë.
Gjithashtu nga Dogana nuk kanë dhënë detaje se ku përfundojnë këto kafshë të shëndosha pas trajtimit ose çfarë ndodhë me to.
Megjithatë, udhëheqësi i sektorit veterinar kufitar në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, Eroll Shehu, thotë se institucionet janë duke trajtuar rastet e fundit të tentimeve për futje ilegale të kafshëve në Kosovë.
Ai tregoi se pas njoftimit nga Policia apo Dogana, inspektorët e AUV-it dalin në terren për të kontrolluar gjendjen shëndetësore dhe dokumentacionin e kafshëve.
“Në momentin kur policia apo dogana neve na njofton se është një rast i dyshimtë, inspektorati i rëndësishëm i AUV-it aktivizohet dhe shkon konform domethënë në vendin e caktuar, për me bërë përcaktimin e statusit shëndetësor të kafshëve, përcakton nivelin e evidentimit të kafshëve – a janë të regjistruara në sistem, a i kanë matrikulat dhe aktivitete të tjera të cilat i përkasin sektorit veterinar, dhe konform gjetjeve raportohet autoritetit kompetent. Si veprohet, apo çka bëhet me ato ngarkesa. Fatmirësisht, vetëm për gjedhe ne e kemi një strehimore për këto kafshë domethënë, kafshët që dyshohen se janë kontrabandë ose keqpërdorim ose transport ilegal, po të gjitha janë jo konform legjislacionit. E kemi burgun e Dubravës dhe aty i çojmë kafshë, vetëm për gjedhe. Përpos kontrollit të gjendjes shëndetësore, përkushtimi i inspektorëve është edhe mirëqenia e kafshëve. Sa më shpejt ato me i shkarkua prej ngarkesave, janë temperaturat e larta në kamionë, domethënë sa më shpejt me i shkarkua dhe me i bë kontrolle të tjera, duke përfshirë edhe marrjen e mostrave, nxjerrjen e gjakut, dërgimin e mostrave në laborator, dhe konform asaj procedohet më tutje”, u shpreh Shehu.
Shehut tregoi se kafshët e konfiskuara dërgohen në strehimore, ndërsa deri tani nuk janë evidentuar raste me sëmundje.
“Në përgjithësi nuk kemi gjetë diçka si sëmundje, domethënë që ka paraqitë, asgjësimi nuk është bërë, po konform atyre procedurave, nëse ka shmangie të tatimeve edhe ato të tjera sende, ashtu bëhet, ashtu procedohet. Vlen të ceket se inspektorati i veterinarisë i Agjencisë së Ushqimit për çdo rast që vërtetohet që është kontrabandë ose dyshohet për kontrabandë, e bën fletëparaqitjen në gjykatat e caktuara. Kjo është për çdo rast, bëhet me një bashkëpunim me prokurorinë, me policinë dhe doganat”, përfundoi Shehu.
Sipas rasteve të fundit të raportuara nga Policia e Kosovës në rajone të ndryshme janë ndaluar transportime ilegale të kafshëve (deleve).
Në fshatin Pogragjë të Gjilanit janë ndaluar 13 qengja pa dokumentacion përcjellës, ndërsa në Bjeshkët e Istogut janë kap duke i transportuar ilegalisht 27 qengja ,si dhe në Ferizaj janë sekuestruar 22 krerë gjedhe pa dokumentacion përkatës.
Ndërsa, sot Policia e Kosovës ka parandaluar një rast tjetër të kontrabandimit nga Serbia me kafshë në Dumnicë vetëm një ditë para festës së Kurban Bajramit, ku gjatë kontrollit janë gjetur 27 dele dhe 4 qengja pa matrikula në vesh.
Nesër, më 27 maj, festohet Kurban Bajrami në Kosovë.
Therja e kurbanit është një nga ritualet më të rëndësishme fetare në Islam dhe kryhet gjatë festës së Kurban Bajramit.
Parandalohet kontrabandimi i mbi 30 deleve nga Serbia, arrestohet një i dyshuar







