Një valë e hershme dhe e fortë të nxehti ka përfshirë Europën Perëndimore, duke sjellë temperatura rekord për muajin maj në disa vende dhe paralajmërime për një përkeqësim të mëtejshëm të situatës gjatë ditëve në vijim.
Në France, mbi 20 qytete kanë regjistruar temperaturat më të larta ndonjëherë për muajin maj, ndërsa shërbimi meteorologjik paralajmëron se kjo mund të jetë vetëm fillimi i një vale më të gjatë të nxehti. Autoritetet franceze kanë vendosur 31 rajone në alert për temperatura të larta, duke aktivizuar për herë të parë sistemin e alarmit për vapë në muajin maj që nga krijimi i tij në vitin 2004, shkruan Guardian.
Ndërkohë, në Mbretërinë e Bashkuar është thyer rekordi historik për muajin maj, pasi në Heathrow pranë Londrës u regjistrua temperatura 33.5°C. Meteorologët parashikojnë që temperaturat të arrijnë deri në 35°C në disa zona të vendit.
Në Spanjë, situata është po ashtu e rënduar, me temperatura që në disa rajone kanë arritur deri në 38°C gjatë fundjavës dhe pritet të afrohen në 40°C në ditët në vijim, sidomos në jug dhe në luginat kryesore të vendit.
Sipas shërbimeve meteorologjike franceze, fenomeni është shkaktuar nga një “kupolë nxehtësie”, ku masa të ajrit të nxehtë nga Afrika e Veriut bllokohen nga presioni i lartë atmosferik. Ekspertët paralajmërojnë se ngjarje të tilla do të bëhen më të shpeshta, më intensive dhe më të hershme si pasojë e ndryshimeve klimatike.
Në disa qytete franceze si Paris, Bordo dhe zona të Atlantikut janë regjistruar temperatura shumë mbi mesataren sezonale, ndërsa në disa raste janë raportuar edhe pasoja të rënda për shëndetin e qytetarëve gjatë aktiviteteve sportive në natyrë.
Meteorologët theksojnë se vala e të nxehtit mund të zgjasë edhe disa ditë, duke e bërë këtë një nga episodet më të hershme dhe më intensive të vapës së regjistruar ndonjëherë në Europë për muajin maj./kp




