Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas incidentit të ndodhur në një kafene në Skenderaj, ku u sulmuan kryetari i degës së Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komunë, Hysni Mehani, dhe një aktivist i partisë.
LDK-ja ka dënuar dhunën dhe ka shprehur shqetësim për përkeqësimin e klimës politike në vend, duke përmendur rritjen e gjuhës së urrejtjes, kërcënimeve dhe sulmeve në hapësirën publike e digjitale.
Sipas kësaj partie, retorika nxitëse dhe përçarëse po krijon tensione që mund të ndikojnë drejtpërdrejt në sigurinë publike dhe në mënyrën se si zhvillohet përballja politike në Kosovë.
“Dhuna dhe intimidimi nuk mund të jenë pjesë e jetës politike në një shtet demokratik. Kosova ka nevojë për debat të ideve dhe komunikim institucional, jo për sulme dhe frikësim të kundërshtarëve politikë”, thuhet në reagimin e LDK-së.
Partia opozitare ka bërë thirrje për maturi politike dhe respektim të normave demokratike, duke kërkuar nga institucionet dhe akterët politikë që të kontribuojnë në ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike.
Pas incidentit, Hysni Mehani ka akuzuar ish-kryetarin e Skenderaj, Sami Lushtaku, duke pretenduar se ai ishte i përfshirë në sulm bashkë me persona të tjerë.








