Secila listë i ka nga 110-të kandidatë për deputetë.
E këto subjektet politike i dorëzuan të martën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Edhe këtë herë, brenda tyre nuk munguan emrat e kandidatëve që për herë të parë e synojnë mandatin e deputetit.
Përmes partisë fituese të 28 dhjetorit, një ulëse po e kërkon ish-gazetari, Arton Konushevci.
Për herë të parë garës zgjedhore, i hyri edhe ish-kryetari i këshillit kombëtar shqiptar në Luginë, Ragmi Mustafi.
Ndërsa njëjtë veproi edhe aktori, Armend Baloku.
Por, befasia më e madhe brenda listës së VV-së, mban numrin 89.
Është fjala për imamin Osman Musliu nga Drenasi, i cili për herë të parë po e kërkon votën e qytetarëve në zgjedhjet e 7 qershorit.
Ndërsa në listë vend nuk pati për emrat e njohur si Driton Hyseni, Gramos Agusholli, Hysen Durmishi, Egzona Tërdevci e Lulzim Hetemi.
Emra të ri të martën mbrëma, u panë edhe në listën e Partisë Demokratike të Kosovës.
Garës për deputetë, i është rikthyer ish-komandanti i Zonës së Llapit, Rrustem Mustafa – Remi.
Llapjani u rendit në numrin 15-të, kurse numër 32 gjendet një tjetër ish-komandant i Brigadës 124 të UCK-së, Skender Hoxha.
Edhe një tjetër ish-ushtarake, u pa risi brenda listës së PDK.
Është fjala për ish-nënkryetarën e Vetëvendosjes, Aida Dërgutin, e cila kuvendin këtë herë po e synon përmes Partisë Demokratike të Kosovës.
Befasitë në këtë parti, nuk ishin vetëm emrat që u përfshinë në listë.
Jashtë saj, mbetën emrat si Abelard Tahiri, Kujtim Gashi e Ferat Shala.
E risitë në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, erdhen bashkë me Vjosa Osmanin.
Njëra ndër to me numër 13 është Fahrije Hoti nga Krusha e Madhe.
Në listën e LDK-së, u prezantuan edhe kandidatët si Albena Reshitaj e Jeta Statovci, Visar Xani e Besim Kodra.
Ndërsa, këtu nuk u panë ish-deputetët si Driton Selmanaj, Rrezarta Krasniqi e ish-ministrja Vlora Dumoshi.
E në top 10-shën e parë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, emri i ri është ai i ish-analistit politik, Avni Arifi.
Kurse këtë herë votën e qytetarëve nga AAK, nuk do ta kërkojnë ish-deputetët si Shemsedin Dreshaj, Pal Lekaj, Lahi Brahimaj, e Haki Abazi.
Ndryshe, përvec emrave të kandidatëve për deputetë, ende nuk janë zbuluar sloganet e partive politike për zgjedhjet e 7 qershorit.






