Gjykata Supreme e Kosovës ka shpallur të paligjshme tarifën prej 3-eurosh për personat shoqërues mbi 15-vjeç të pacientëve gjatë qëndrimit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), duke shfuqizuar pjesërisht Udhëzimin Administrativ nr.03/2024 për bashkëpagesat në shërbimet shëndetësore.
Vendimi u mor pas padisë së paraqitur nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) kundër Ministrisë së Shëndetësisë (MSH), me të cilën kontestohej ligjshmëria e dispozitave që parashihnin pagesë prej 3-eurosh për çdo ditë qëndrimi në spital për shoqëruesit e pacientëve mbi moshën 15-vjeçare.
Sipas IKD-së, Ligji për Shëndetësi e definon bashkëpagesën si pagesë për shërbime të kujdesit shëndetësor nga personat që i shfrytëzojnë ato, ndërsa personat shoqërues nuk mund të konsiderohen përfitues të shërbimeve shëndetësore, pasi nuk marrin trajtim mjekësor apo shërbime diagnostike e rehabilituese.
Pas shqyrtimit të provave dhe dispozitave ligjore, Gjykata Supreme vlerësoi se dispozitat e kontestuara nuk kishin bazë të mjaftueshme ligjore dhe zgjeronin në mënyrë të palejuar nocionin e “bashkëpagesës”.
Në aktgjykimin e Supremes thuhet se bashkëpagesa mund të vendoset vetëm ndaj personave që janë përfitues të drejtpërdrejtë të një shërbimi shëndetësor, kriter të cilin personat shoqërues nuk e plotësojnë.
Gjykata gjithashtu konstatoi se Ministria e Shëndetësisë ka tejkaluar autorizimet ligjore përmes këtij udhëzimi administrativ, duke krijuar një detyrim të ri financiar pa bazë të qartë ligjore, në kundërshtim me parimin e legalitetit.
Sipas vendimit, tarifimi i shoqëruesve cenon të drejtën e qytetarëve për qasje të barabartë dhe efektive në kujdesin shëndetësor, sidomos duke marrë parasysh se prania e familjarëve shpesh është e domosdoshme për mbështetjen e pacientëve gjatë hospitalizimit.
Gjykata Supreme theksoi se aktet nënligjore duhet të jenë në përputhje me ligjin dhe nuk mund të krijojnë kategori të reja tarifimi apo obligime financiare që nuk parashihen me ligj.
Tarifa prej 3-eurove nisi të zbatohej nga shkurti i këtij viti, e përcaktuar nga udhëzimi administrativ për bashkëpagesat për shërbimet shëndetësore që ka hyrë në fuqi në vitin 2024.







