Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pranuar të premten raportin vjetor të punës së Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.
Raportin ia dorëzoi drejtori ekzekutiv i këtij institucioni, Atdhe Hetemi, gjatë një takimi me Haxhiun.
Përmes një njoftimi në Facebook, Haxhiu bëri të ditur se gjatë takimit është informuar për punën e Institutit gjatë këtij viti, me theks të veçantë në procesin e verifikimit të të dhënave për secilën viktimë të luftës.
Sipas saj, në bazë të këtyre të dhënave është hartuar lista preliminare e viktimave të luftës, e cila është publikuar në korrik.
Haxhiu ka theksuar se për herë të parë institucionet e Kosovës kanë regjistruar viktimat e luftës një nga një, duke u mbështetur në dokumente dhe dëshmi të verifikuara.
“Përballë mohimit të krimeve nga Serbia, ky dokumentim i saktë është përgjigjja jonë më e fuqishme”, ka shkruar Haxhiu.
Në fund, Haxhiu ka theksuar se Kuvendi i Kosovës do të vazhdojë ta mbështesë punën e Institutit, ndërsa ka shprehur mirënjohje për drejtorin Hetemi dhe stafin për profesionalizmin dhe përkushtimin në dokumentimin e krimeve të luftës.







