“Në njërën anë është rruga e atyre që kërcënojnë ta dërgojnë vendin në zgjedhje çdo tre muaj, sepse nuk ngopen kurrë…”, ka thënë Osmani.
Një pjesë të rëndësishme të fjalimit të saj të ribashkimit me LDK-në, ish-presidentja Vjosa Osmani, ia kushtoi prishjes së raporteve me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Osmani e akuzoi Kurtin, se i pengoi prezenca e saj në ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare.
“Rruga e atyre që e dërguan vendin në zgjedhje pa nevojë e ja refuzuan popullit 51%, për të eliminuar një presidente që ulët me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kurse rruga tjetër është e amanetit të Rugovës, e shtetit serioz e aleancave të forta”, u shpreh tutje Osmani.
Fjalimi i Osmanit, nga ekspertë të komunikimit, po vlerësohet se është i përbërë nga një gjuhë e ashpërsuar.
E qasje të tillë, sipas profesorit Festim Rizanaj, shohim zakonisht gjatë fushatave zgjedhore në Kosovë.
“Gjithmonë organizojmë konferenca para fushatave zgjedhore, njëkohësisht artikuj të caktuar edhe video paralajmëruese se cilat janë format e keqinformimit që qarkullojnë që audienca të ketë kujdes në mënyrë që të mos bjerë pre e tyre sepse është shqetësuese sepse manipulohet opinioni publik dhe në ditën e zgjedhjeve nuk është më opinioni i tij por ajo keqinformata që ka ndikuar që ai të votojë për një parti ose kandidat të caktuar nëpërmjet manipulimit që i është bërë”, ka thënë Rizanaj.
Hulumtuesi Rizanaj tregon edhe efektet që shkaktohen te opinioni publik nga ky lloj i komunikimit.
“Qëllimi i këtyre është manipulimi i audiencës dhe ndryshimi i perceptimit për votën, dmth se kujt do t’ia jep votën dhe ky ndryshim i perceptimit dhe ky manipulim mund të ndikojë që opinioni publik në ditën e zgjedhjeve ta ndërrojë vlerësimin gjatë votimit, sepse nëpërmjet këtyre mundet me kriju përshtypjen që nëse ti e ki votu një parti të caktuar, ja videot e kaluara se kush ka qenë kjo parti ose ky politikan i caktuar”, theksoj Rizanaj.
Gjatë ditëve në vijim, politologu Albinot Maloku thotë se diskursi mund të ashpërsohet edhe më shumë.
“Ka me qenë interesant për faktin që i njohin formulat e njëri-tjetrit dhe gjithsesi që kanë kopjuar nga angazhimet e njëri-tjetrit. Konsideroj që Republikës së Kosovës gjithsesi do t’i duhej një gjuhë më e kulturuar, më e maturuar në instancë të fundit që qytetarët të mos e pranojnë të mirëqenë një komunikim që është agresiv. Por, në fushatën parazgjedhore gjithsesi se do të përdoren edhe një gjuhë e cila do të jetë shpjeguese, paralelisht saj do duket edhe më agresive”, u shpreh Maloku.
Partitë politike janë akuzuar për gjuhën e përdorur edhe në zgjedhjet e kaluara.






