Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga udhëheqja e partisë.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Hamza, i cili sot ka njoftuar Kryesinë e PDK-së për vendimin e tij, duke theksuar se kjo hap rrugë për një proces të ri zgjedhor brenda partisë.
Hamza ka thënë se përmes këtij procesi, anëtarët e PDK-së do të vendosin për drejtimin e ardhshëm të partisë. Ai ka vënë në pah edhe rëndësinë e përfshirjes më të madhe të të rinjve dhe krijimit të mundësive që ata të marrin përgjegjësi në udhëheqjen e partisë.
Në arsyetimin e vendimit të tij, Hamza ka përmendur përgjegjësitë që ka marrë që nga viti 2020, pas dërgimit në Hagë të ish-udhëheqësve të PDK-së. Ai ka rikujtuar kandidimin për kryetar të Mitrovicës, tri kandidimet radhazi për kryeministër, si dhe udhëheqjen e partisë, duke theksuar se këto përgjegjësi i ka marrë për shkak të detyrimit ndaj PDK-së dhe Kosovës, e jo për ambicie personale.
Ai ka thënë se gjatë udhëheqjes së tij është përqendruar në ruajtjen e unitetit të partisë, strukturave të saj dhe besimit të anëtarëve e votuesve.
“Nuk po largohem nga PDK-ja. Po largohem vetëm nga pozita e kryetarit, por jo edhe nga besimi në vlerat tona politike”, ka deklaruar Hamza, duke shtuar se do të mbetet votues besnik dhe anëtar i PDK-së.
Hamza ka folur edhe për vendimin e Dhomave të Specializuara ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke shprehur zhgënjimin e tij dhe duke theksuar se përpjekjet për drejtësi, zbardhjen e së vërtetës dhe kthimin e tyre pranë familjeve dhe Kosovës do të vazhdojnë.
Në fund, ai ka falënderuar anëtarët, strukturat dhe mbështetësit e PDK-së për besimin dhe përkrahjen, duke theksuar se interesi i partisë dhe i vendit duhet të jetë gjithmonë mbi interesin personal.
“Unë nuk e dua PDK-në vetëm për ta udhëhequr. E kam dashur dhe do ta dua edhe pa e udhëhequr”, ka përfunduar Hamza.








