Nga Jabllanica edhe këtë 6 maj erdhi në Gllogjan.
E ndalesa e parë e dajës, është tek varri i nipit.
As në 29 vjetorin e rënies, Lahi Brahimaj, nuk e harroi nipin e tij, Luan Haradinajn.
Ky i fundit me 6 maj të vitit 1997, ra heroikisht në një pritë serbe, në vendin e quajtur “Qafa e Mullarit”, teksa në grup po ktheheshin nga Shqipëria.
E lajmi për rënien e tij në Jabllanicë arriti vetëm pas disa ditësh.
“Mbas dy dite apo tri Dauti ka ardhur në fshatin tonë në Jabllanicë dhe siç ishim në familje më tha mashkull kam diçka me biseduar me ty, kom dal dhe më tha Luani ka ra në kufij. Ishte një goditje, një shok ashtu dhe nuk ishte vetëm për mua goditje kjo ishte njëra ndër goditjet më të rënda për UÇK-në sepse çdo fishek që diku ka krisë kundër forcave serbe ishte i bartur nga Luani”, ka thënë Brahimaj.
E një kujtim me Luan Haradinajn, ka mbetur thellë në kujtesën e bashkëluftëtarit dhe dajës së tij.
“Jemi ndalu dhe kemi heq gurin e kufirit edhe Luani e vendos në atë gurin e RSFJ-së tytën e pushkës e tha edhe ky guri e gjitha këta gurë kane me u heq një ditë falë luftës”, ka thënë tutje Brahimaj.
E atë ditë të rëndë, pjesë e grupit që ranë në priten serbe, ishte edhe Selim Krasniqi.
Ky i fundit për Tëvë1, e zbulon se cfarë tha Luan Haradinaj para se të binte heroikisht.
“Në momentin para se të vritej kam bërë rrugë me të disa herë edhe Luani bashke me Ramushin e kanë marrë përsipër që me e shti grupin e Fehmiut e të Xhevës e të gjithë neve brenda edhe ka deklaruar se pa u vra unë asnjërit prej jush nuk do i ndodh asgjë, kjo është ajo fjala që natyrisht e kujtoj çdo herë edhe jo vetëm që e ka fol si fjalë, por edhe e ka mbajt si premtim ai është vra në mbrojtje të gjithë shokëve të vet”, u shpreh Krasniqi.
E rënia e Luanit, e goditi gjithë grupin.
Por pavarëisht kësaj, luftetarët e lirisë e vazhduan betejën.
“Ishte dhimbje e madhe po ne u detyruam që të vazhdojmë betejën, luftën. Të tërheqim Luanin, që e ka tërheq Ramushi e pastaj edhe Rafetin e plagosur që ka qenë shumë rëndë i plagosur”, theksoj Krasniqi.
Pas kësaj, trupi i Luan Haradinajt pushoi në Vlanë deri në çlirimin e Kosovës.
Ndërsa pas çlirimit trupi i tij u rivarros në varrezat e dëshmorëve në Gllogjan.






