Propozimi i fundit i Lëvizjes Vetëvendosje për president është serioz, tha shefja e Grupit parlamentar të kësaj partie në Kuvendin e Kosovës, Arbërie Nagavci, të shtunën, duke shtuar se ky subjekt politik nuk po bën lojëra në lidhje me këtë temë.
Ajo bëri këtë koment pas refuzimit që këtij propozimi ia bëri PDK-ja, ndërsa kërkoi seriozitet nga opozita.
E njëjta u kërkoi përfaqësuesve të opozitës të mos bëjnë deklarata të shpejta politike.
Ky ballafaqim deklaratash mes përfaqësuesve të shumicës dhe pakicës në parlament pati si shkas propozimin e fundit të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila ftoi dy partitë më të mëdha opozitare, PDK dhe LDK që të dalin me tre emra të përbashkët, jo partiakë dhe unifikues për president, deri të dielën në mbrëmje.
“LVV-ja asnjëherë nuk ka bërë lojëra. Ne jemi seriozë, të përgjegjshëm dhe gjithmonë transparentë në qëndrimet tona. Në këtë moment në të cilin jemi nuk bëhet fjalë për lojëra, por bëhet fjalë për përgjegjësi, në radhë të parë, të atyre që kanë marrë besimin e qytetarëve për të lëvizur. Deri më sot nuk ka pasur asnjë kërkesë apo propozim konkret nga partitë e tjera. Në momentin ku jemi aktualisht, edhe pak ditë para afatit kushtetues, ne kemi bërë edhe një hap përpara. Për mua është e pakuptimtë dhe nuk mund të besoj se në ndonjë nxitim kaq të shpejtë ka ardhur dikush në konstatim se është kjo lojë. Të ketë një përgjigje serioze nëse ka emra konkretë të na propozohen dhe të ecim tutje”, tha ajo.
Më herët gjatë ditës PDK, përmes kryetarit të saj e refuzoi këtë ofertë, duke e quajtur joserioze. Edhe kryetari i AAK-së ,Ramush Haradinaj tha se VV po bën lojë dhe tallje me qytetarët.







