Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arben Mustafa, e ka cilësuar si të turpshme dhe sulm direkt ndaj luftës çlirimtare deklaratën e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci, dhënë gjatë seancës së sotme parlamentare.
Geci deklaroi se ish-presidentin Hashim Thaçi e pret një fat i ngjashëm me atë të Naim Murselit, i cili u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen e bashkëshortes.
Në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, Mustafa ka thënë se një deklaratë e tillë është e papranueshme për një deputet të Kuvendit të Kosovës, duke e vlerësuar atë si fyerje ndaj luftës çlirimtare dhe vetë shtetit të Kosovës.
Sipas tij, përgjegjësi për këtë situatë mban edhe Vetëvendosje, e cila siç u shpreh e ka përfshirë Gecin në listën zgjedhore dhe i ka mundësuar të bëhet deputet.
“Ishte e papritur, një deklaratë e turpshme, të cilën nuk do të mund ta imagjinonim asnjëherë nga një deputet i Republikës së Kosovës që flet shqip, të thotë një gjë të tillë kundër çlirimtarëve tanë dhe kundër presidentit Thaçi. Kjo paraqet një sulm direkt ndaj luftës sonë çlirimtare, por edhe ndaj vetë lirisë dhe shtetit të Kosovës. Prandaj, çdo fjalë është e vogël për të shprehur atë që mendojmë për këtë deklaratë – është turp i madh. Po aq turp është edhe për ata që e kanë futur në listë zgjedhore dhe i kanë dhënë mundësinë të bëhet deputet i Kuvendit të Kosovës. Është shqetësuese se si grupi më i madh parlamentar në Kuvend është bërë një habitat i përshtatshëm për njerëz si ky, që kanë kësi botëkuptimi ndaj çlirimtarëve tanë dhe luftës çlirimtare”, ka deklaruar ai.
Mustafa ka shtuar se PDK-ja kërkon përgjegjësi konkrete nga Vetëvendosje, duke kërkuar përjashtimin e Gecit nga grupi parlamentar.
“Kishte disa distancime, disa më direkte e disa më indirekte, por unë konsideroj se, nëse ka mbetur një pikë dinjiteti në Lëvizjen Vetëvendosje dhe në grupin e saj parlamentar, ai njeri nuk do të duhej më të ishte pjesë e grupit parlamentar të VV-së. Pra, kërkojmë absolutisht përgjegjësi nga Vetëvendosje. Ai nuk duhet të lejohet të jetë pjesë e grupit parlamentar të tyre. Nëse LVV-ja nuk mendon si ai, atëherë ai nuk duhet të jetë më pjesë e atij grupi”, ka shtuar Geci.
I pyetur për një reagim të mundshëm nga kryeministri dhe njëherësh lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, Mustafa ka deklaruar se vetëm përjashtimi i Gecit nga grupi parlamentar do të përbënte një distancim real.
“Qëndrimi i Kurtit dhe i VV-së ndaj liderëve të UÇK-së, si dhe urrejtja që kanë shfaqur me kohë, kanë bërë që VV të jetë një lloj habitati për njerëz me opinione të tilla. Ky problem nuk qëndron vetëm te ky person që bëri deklaratën, por te ajo çfarë kanë mbjellë deri më tani. Megjithatë, në këtë fazë, minimumi që duhet të bëjnë është ta përjashtojnë nga grupi parlamentar i VV-së. Nëse nuk e bëjnë këtë, atëherë flasim për një distancim provizor dhe joreal”, ka përfunduar Mustafa./teve1.info/








