Një nxënës 15-vjeçar ka humbur jetën në ambientet e shkollës së mesme “Kuvendi i Arbërit” në Ferizaj.
Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, i cili bëri të ditur se rasti ka ndodhur pasditen e sotme.
Sipas informatave fillestare, i mituri është rrëzuar pa ndjenja në sallën e edukatës fizike, në rrethana që ende nuk janë sqaruar.
Menjëherë pas incidentit, ai është dërguar me urgjencë në Qendrën Emergjente në Ferizaj, por pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e tij.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore, përfshirë hetuesit dhe krimteknikët, të cilët kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa autoritetet po vazhdojnë hetimet për të sqaruar rrethanat.
“Për të gjitha veprimet është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion”, tha Veseli.







