Zgjedhja e presidentit varet nga vullneti i opozitës, tha ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca.
Zëvëndëskryeministri Konjufca i cili është edhe kandidat zyrtar i LVV-së për president tha se do të tërheq kandidaturën sapo që partitë opozitare të bëjnë një propozim për president, raporton KosovaPress.
“Në momentin që opozita e qet një kandidat të përbashkët, unë menjëherë do ta bëj këtë punë. Do të ishte gjëja e parë që do ta bëja, pasi shumë më e rëndësishme është që Kosova të ketë presidentin e vet sesa që ai të ketë emrin Glauk Konjufca. Shumë më e rëndësishme është që të kemi një president dhe pastaj për emrin mund të pajtohemi dhe të gjejmë një konsensus ndërmjet subjekteve politike… Siç e kam parë deri tash, dy subjektet politike nuk kanë qenë të vullnetshme me propozua emra. Kjo është arsyeja që jemi këtu ku jemi. Nuk po më duket se deri tash kemi gjetur një zgjidhje. Natyrisht duhet të besojmë në zgjidhje deri në fund. Janë edhe 12-13 ditë deri në fund, por kryeministri tashmë besoj se do t’i drejtohet edhe një herë partive politike. LDK-ja ma ka lënë përshtypjen se do të takohej jo vetëm një herë, por më shumë se një herë dhe të gjejmë një zgjidhje për presidentin”, tha Konjufca të mërkurën pasi mori pjesë në një konferencë për luftimin e dezinformatave.
Ai tha se LVV-ja, pasi ka propozuar dy kandidatura për president, nuk mundet të ofrojë një kandidat tjetër konsensual, por sipas tij një gjë të tillë mund ta bëjnë partitë opozitare dhe ato të ofrojnë 66 votat e tyre.
Kjo është arsyeja pse LVV-ja nuk po propozon një kandidat konsensual për presidentin
“Deri tash kjo nuk ka ndodhur për arsye, le të themi, më shumë barra e provës bie mbi opozitën që të na propozojë ndonjë emër, ndërsa ne t’i japim votat tona. Kjo ka qenë ideja. Është shumë më e kollajshme për opozitën që të japë emra. Siç e dini, mazhoranca i ka 66 vota dhe do t’i mund t’i vendoste në funksion të zgjidhjes së ndonjë presidenti. Po e them se në momentin që opozita e gjen një president të përbashkët dhe e propozon para nesh. Ky nuk do të thotë që të ishte propozimi i krejt opozitës, por së paku i dy prej partive politike unë mendoj që do të isha shumë i lumtur të tërheq kandidaturën time. Por nëse kjo nuk ndodh dhe tërhiqet kandidatura, nuk e zgjidh problemin”, tha ai.
I pyetur se pse nuk po i dërgojnë ftesë zyrtare për takim Partisë Demokratike të Kosovës për çështjen e presidentit, ai u shpreh kritik ndaj partisë së Bedri Hamzës se nuk janë të sinqertë për një zgjidhje të mundshme.
Sipas tij, ujdia që e ka propozuar PDK-ja për presidentin nuk ekziston askund në botë që symbyllurazi t’i sigurohen 66 vota pa e ditur emrat e të propozuarve për president.
Ai shtoi se kësisoj PDK-ja mund të propozonte emra për president që janë të pakapërcyeshëm për LVV-në.
“Kjo më shumë më duket një lojë dhe nuk duket e sinqertë nga ana e PDK-së. Ka qenë vullneti ynë i sinqertë për me zgjidh këtë. PDK-ja duhet ta kuptojë se problemi është te ajo dhe forma sesi e ka propozuar presidentin, që ne të pajtohemi symbyllurazi me atë president. Mendoj se nuk është e ndershme dhe nuk i kontribuon zgjidhjes një ide e tillë. Me sa e kam kuptuar formën sesi e kanë propozuar ata marrëveshjen është që ne të hyjmë në atë marrëveshje dhe kur të hysh nuk mund të dilet. Por hapi i hyrjes në marrëveshje nuk është me identitetin e emrit. Ai zbulohet më vonë nga ata. Kjo është problematike dhe s’ka kësisoj marrëveshje askund në botë. Çka mund të sqarojë kryeministri Kurti më shumë sesa një takim i sinqertë, ku qiten emrat në tavolinë dhe PDK-ja i zbulon emrat para marrëveshjes dhe pastaj të shohim a mund të kemi konsensus për ndonjërin prej emrave të tyre. Jo ne të nënshkruajmë një marrëveshje parimore dhe, nëse dalim prej asaj marrëveshjeje, ajo pastaj e fajëson LVV-në, ashtu që nëse e propozon një emër që është i pakapërcyeshëm për LVV-në. Të tillë në PDK ka plot. Siç ka thënë ai, gjej vetë gjëgjëzën… Nuk mund të flas me emra konkretë, por ka emra në PDK që do të ishin të pakapërcyeshëm për neve që nuk do të duhej të ishin president”, theksoi Konjufca.
Përkundër takimeve me LDK-në, ai tha se as Lumir Abdixhiku nuk ka propozuar një emër për president që mund të shqyrtohej nga LVV-ja.
“Sa i përket LDK-së, nuk besoj se kemi ardhur te një emër nga ana e tyre që të bëhet pjesë e publikut dhe LDK-ja të qëndrojnë krejt 15 deputetët prapa atij emri. Nuk kemi pasur, por po të kishim do ta shqyrtonim në kryesinë e LVV dhe besoj se do të gjejmë një zgjidhje”, shtoi Konjufca.
Sipas tij, opozitarët kanë ndryshuar qasjen për zgjedhjen e presidentit posa LVV-ja nuk e kandidoi Vjosa Osmanin për një mandat të dytë.
Sipas tij, opozitarët po kalkulojnë se përfshirja e Vjosa Osmanit në skenën politike do ta dobësonte LVV-në në përqindje, por ai la të hapur mundësinë e bashkëpunimit të sërishëm me Osmanin.
“Në momentin që nuk ka qenë Vjosa Osmani propozim nga ana e LVV-së, ka ndryshuar krejt kalkulimi i opozitës. Opozita dëshiron me përfshirë si element të ri në skenën tonë politike përfshirjen e presidentes Osmani në skenën politike dhe ata kalkulojnë se ajo do ta zbriste përqindjen e LVV-së. Prej kur ka qenë ky element në garë nuk ka pasur propozime të sinqerta. Kjo më shumë është kalkulim i opozitës për zgjedhje. Kjo shihet prej aeroplanit… Gjithmonë në bashkëpunim me zonjën Osmani”, theksoi ai.
Për këtë arsye, Konjufca tha se mund të shkojnë në zgjedhje të reja, nëse sipas tij ky është vullneti i opozitarëve.
“Shkojmë në zgjedhje të reja nëse ky është vullneti i opozitës. Nuk kemi çka të bëjmë”, përfundoi ai.
28 prilli është afati i fundit për zgjedhjen e presidentit sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje të reja.
Pavarësisht disa takimeve të zhvilluar nga kreu i LVV-së me atë të PDK-së e LDK-së, liderët nuk kanë arritur marrëveshje për zgjedhjen e presidentit.









