Futbollistet e Kosovës e kanë vazhduar dominimin ndaj futbollisteve të Bullgarisë.
Të martën pasdite në Sofje, Kosova fitoi 3:1 ndaj Bullgarisë, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2027. Kosova tani i ka gjashtë fitore e një barazim në shtatë përballje me Bullgarinë.
Ishin bullgaret që kaluan në epërsi 1:0 në ndeshjen në Sofje. Aleksandra Yaneva realizoi në minutën e nëntë.
Në minutën e 15-të Kosova fitoi goditje nga këndi. Kapitenia Erëleta Memeti mori përgjegjësinë dhe gjuajti direkt në portë. Dhe topi gjeti cakun për 1:1. Memeti tani i ka pesë gola në ndeshjet ndaj Bullgarisë.
Menjëherë në minutën e 21-të, “Dardanet” kaluan në epërsi 2:1. Mbrojtësja Blerta Smaili shënoi me goditje të bukur me kokë.
Me rezultatin 2:1 përfundoi pjesa e parë. Dhe dukej që ky do të ishte rezultati edhe në fund. Por pas një tollovie të krijuar në minutën e 89-të, për 3:1 shënoi mbrojtësja tjetër, Albulena Fejza.
Kosova ka dominuar në fushë dhe këtë e dëshmojnë edhe 13 rastet e krijuara, për dallim nga tri sa i kishin bullgaret. Goditje që shkuan në portë, Kosova i kishte katër e Bullgaria vetëm dy.
Me fitore Kosova është forcuar në vendin e parë në Grupin C1 të kualifikimeve evropiane për Botërorin 2027. Në mars, Kosova fitoi 6:0 ndaj Gjibraltarit në Prishtinë dhe 1:0 ndaj Kroacisë në Karlovc. Tani i ka nëntë pikë nga tri ndeshje. Pas katër ditësh është ndeshja Kosovë – Bullgari, në “Fadil Vokrri”. Me fitore edhe në atë ndeshje, Memeti dhe lojtaret e tjera do të bënin hap gjigant drejt vendit të parë në grup. Më pas do të duhet vetëm të shmangin humbjen nga Kroacisë në ndeshjen në shtëpi, më 5 qershor.
Prej Ligës C, kualifikimi direkt në Botëror nuk është i mundur. Por vendi i parë garanton paraqitjen në plejofin kualifikues dhe avancimin në Ligën B për edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve.
Kualifikimi në plejof është i mundur edhe prej pozitës së dytë, por qartë se vendi i parë në grup është synimi i “dardaneve”.









