Çdo 13 prill e gjen para këtij lapidari.
E me krenari shikon emrin e gdhendur në të, të vëllait Ramadan Xhokli.
Ky i fundit në prillin e vitit 1999, dëgjoi se forcat serbe, kishin rrethuar disa fshatra të Kaçanikut.
Për këtë, vendosi që popullatës civile t’i dalë në ndihmë.
E pas luftimeve të ashpra të Kodra e Cakës në Sllatinë, 29 vjeçari ra heroikisht.
Ajo ditë e rëndë pranvere, mbetet e paharruar për Kosovarin, atëkohë 13 vjeçar.
“Ishte një ngjarje e kobshme, kuptohet se janë tmerret e luftës kuptohet, që pos të shtënave, djegieve, krejt këto gjëra e ne e kishim ndjenjën se diçka e tmerrshme ishte duke u ndodhur. Gjithashtu ishte edhe një ndjenjë e përzier me frikë, se nuk e dinim se çfarë do të ndodhte rreth nesh, sa do të zgjaste ose a do të prekte edhe vendbanimin tonë, kështu që ishin vetëm familjet, që ishin vetëm gratë, fëmijët edhe pleqtë. Kështu që unë si në atë kohë 13-vjeçar, edhe pse shumë i ri. E kisha ndjenjën edhe të frikës edhe të obligimit ndaj pjesëtarëve të tjerë të familjes ose familjes në përgjithësi që ishim në atë kohë”, ka thënë Xhokli.
E luftimet që po ndodhnin në afërsi, i dëgjuan edhe banorët.
Por, lajmi se Ramadan Xhokli ra në fushën e betejës, tek familja erdhi vetëm pasi përfundoi ofensiva serbe.
“Kemi qenë në një distancë shumë të afërt edhe ne veç i dëgjonim të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur në atë rrethim. Atëherë në shtëpi erdhi lajmi, nuk e di saktë prej kujt ka ardh lajmi, por veçse brenda familjes filloi ai emocioni, nëna duke qarë, të gjithë duke qarë, edhe atëherë e kuptova se diçka nuk ishte në rregull. Po gjithmonë me atë shpresën që ndoshta ishte ndonjë plagosje ose diçka e tillë, se zemra s’ta thotë kurrë të fundit. Po kur na thanë prej një familjari që gjithçka ka përfunduar se ka rënë, atëherë ishte një ndjenjë agonie si shok”, u shpreh tutje Xhokli.
Kosovari, tregon se Ramadan Xhokli, kishte lënë Gjermaninë për t’iu bashkuar luftës për çlirim.
“Vëllai në kohën e rinisë domethënë pjesën e viteve ’90 nuk ishte këtu në Kosovë, ishte në Gjermani dhe diku rreth vitit ’97 vendosi të kthehej. Raporti, kuptohet se ai ishte 28-29 vjeçar kur ra, ishte shumë i ri, ishte një raport familjar, kryesisht si raporti mes vëllezërish, mes familjes e kështu me radhë, por gjërat që ai kishte në mendje ose i kishte në plan për të ardhmen, kryesisht që lidheshin me luftën edhe me lëvizjet që ishin asaj kohe ilegale, nuk na tregonte, kuptohet se jo se ishte mungesë besimi por ishte edhe mosngarkesë emocionale që ne ishim fëmijë”, theksoj Xhokli.
E nj ditë më pas, më 14 prill të vitit 1999, Ramadan Xhokli u varros në fshatin Kastrat.
Ndërsa më të përfunduar lufta, u bë rivarrimi tek varrezat e dëshmorëve në Kaçanik.



